Protesta kombëtare para godinës së Kryeministrisë po shfaqet jo vetëm si një akt qëndrese qytetare, por edhe si një përpjekje për t’i dhënë organizim më të qartë përfaqësimit të zërit të qytetarëve. Një nga protestuesit që foli nga tribuna bëri të ditur ecurinë e një propozimi të hedhur disa ditë më parë për krijimin e një Kuvendi Kombëtar qytetar.
Ai tha se nisma është pritur me mbështetje shumë të gjerë nga njerëzit në shesh dhe se puna për organizimin e saj ka hyrë tashmë në një fazë konkrete, me qindra persona të gatshëm për t’u përfshirë.
Të lidhura
None found
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, protestuesi sqaroi edhe mënyrën se si parashikohet të funksionojë ky organizëm, si edhe numrin e pjesëmarrësve që do të përfshihen në të, me synimin për të siguruar një përfaqësim sa më legjitim të revoltës.
“Para disa ditësh gjatë protestës kam folur për ngritjen e një kuvendi kombëtar qytetar dhe ka marrë pëlqimin e një pjese të madhe të njerëzve në shesh dhe i jemi futur punës për të bërë këtë. Janë mbledhur rreth 500 anëtarë potencialë, por para se të vazhdojmë kemi nevojë për një miratim apo pëlqim. Në çastin që ata njerëz do përzgjidhen, do jenë jo më pak se 300 që të përfaqësojnë të gjitha segmentet e protestës”, deklaroi ai përpara turmës.
Më tej, ai nënvizoi se i gjithë procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet me transparencë të plotë, duke theksuar se askush nuk do të mund të bëhet pjesë e kësaj strukture pa marrë më parë mbështetjen e protestuesve në bulevard.
Sipas tij, secili kandidat do të paraqitet hapur përpara qytetarëve për të marrë aprovimin e drejtpërdrejtë të tyre, në mënyrë që të shmanget çdo formë vetëemërimi.
“Secili do të vijë para popullit dhe të marrë miratimin nga populli. Nuk do ketë asnjë që të jetë i zgjedhur nga vetja, vetëm me miratimin e popullit protestues”, përfundoi ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në shesh.
