Deutsche Welle (DW) ka trajtuar në një material mënyrën se si komunikimi i figurave kryesore politike në Shqipëri, mes tyre kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Sali Berisha, ndikon në klimën e tensionuar në shoqëri dhe në institucione.
Raportimi vëren se deklaratat e pushtetit karakterizohen shpesh nga akuza dhe gjuhë e ashpër. Në video shfaqet Edi Rama duke paralajmëruar masa ndaj studentëve e protestuesve që shkelin rendin. “Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit, nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, deklaron ai, duke shtuar: “do të paguani”. Materiali përmend gjithashtu thirrjet e opozitës për mosbindje civile.
Të lidhura
None found
Ekspertët analizojnë qëllimin e komunikimit
Për të shqyrtuar synimin e këtyre mesazheve dhe ndikimin e tyre, DW ka marrë mendimet e ekspertëve.
Eksperti i komunikimit Elvin Luku thotë se përdorimi i kësaj gjuhe në momente të caktuara synon të frikësojë aktorët politikë dhe publikun. “Mënyra përse zgjidhet pikërisht në këtë moment është që të intimidojë të gjithë aktorët politikë, të cilët mund të bëjnë diçka në këtë situatë,” shprehet ai. Luku e lidh këtë strategji me përpjekjet për mobilizim dhe kundërreagim nga të dyja palët.
Sociologia Entela Binjaku ndalet te ndikimi i normalizimit të agresivitetit në shoqëri. Sipas saj, dhuna që shihet në parlament, në komisionet parlamentare dhe në debatet politike përcillet te opinioni publik dhe përvetësohet prej tij. “Ky normalizim bëhet në njëfarë mënyre si një ‘lëkurë e dytë’ për shoqërinë,” thekson ajo.
DW shtron çështjen nëse ekziston një lidhje shkak-pasojë mes gjuhës së elitës politike dhe episodeve të dhunshme në protesta apo institucione. Pamjet e paraqitura tregojnë përplasje fizike, dëme materiale dhe tensione në Kuvend. Në fund, korrespondentja e DW-së, Rashela Shehu, ngre pyetjen se kush duhet të përgjigjet për pasojat e këtij komunikimi dhe të këtij modeli politik.







