Dorëhiqet drejtori i Doganave, Besmir Beja, pas kërkesës së Ramës për drejtuesit e agjencive

Besmir Beja, i cili mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, është larguar nga detyra me dorëheqje.

Informacioni u bë i ditur nga gazetarja e Top News, Geriola Hate.

Të lidhura

None found

Lëvizja duket se erdhi si pasojë e një urdhri të dhënë nga kryeministri Edi Rama të enjten pasdite, ku ai u kërkoi ministrave të merrnin dorëheqjet e drejtuesve të agjencive shtetërore, si në kryeqytet ashtu edhe në rrethe.

Sipas burimeve pranë qeverisë për Top Channel, këta drejtues do të mbeten përkohësisht në postet e tyre, pasi kjo fazë e parë e procesit konsiston vetëm në formalizimin e dorëheqjes me anë të një dokumenti.

Më pas, në një fazë të dytë, do të vlerësohet performanca e secilit drejtues që ka paraqitur dorëheqjen. Deri tani, ekzekutivi nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë valë dorëheqjesh të kërkuara.

Të njëjtat burime qeveritare pohuan për Top Channel se iniciativa lidhet me thellimin e vizionit të kryeministrit për vendosjen e meritokracisë në administratën publike.

Ky veprim shihet gjithashtu si një hap përgatitor për ministren e re të Administratës Publike, Adea Pirdeni, e cila mori votën e parlamentit një ditë më parë dhe u betua sot në Presidencë.

Numri i drejtuesve të agjencive, në nivel qendror dhe vendor, që duhet të dorëhiqen sipas kërkesës, i kalon 130.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ndërmerr një veprim të tillë.

Kërkesa të ngjashme për dorëheqje janë bërë edhe në vitet 2021 dhe 2023.


Shtuar më 23.10.2026 18:05