Policia dhe OSBE-ja zhvillojnë diskutime për sigurinë në shkolla në katër komuna

Me mbështetjen dhe në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, Policia e Kosovës ka zhvilluar tryeza diskutimi me temën “Siguria në shkolla”. Nisma synon të parandalojë dukuritë negative dhe rastet e dhunës në shkollat e mesme.

Takimet u mbajtën nga 23 shtatori deri më 22 tetor 2026 në Prishtinë, Prizren, Gjilan dhe Pejë, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.

Të lidhura

None found

Qëllimi i tyre ishte identifikimi dhe parandalimi i problemeve në shkollat e mesme, nxitja e raportimit të menjëhershëm, si dhe hartimi i rekomandimeve për trajtimin e çështjeve që lidhen me dhunën në mjediset shkollore.

Në tryeza morën pjesë këshillat e nxënësve dhe prindërve, mësimdhënës, përfaqësues të arsimit komunal, anëtarë të komunitetit, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, pjesëmarrësit paraqitën një numër rekomandimesh, të cilat do të shqyrtohen dhe do të zbatohen në vijimësi.


Shtuar më 23.10.2026 18:32