Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndodhet në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku në fillim u prit nga ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman.
Përmes një postimi në X, Hoxha e vlerësoi forumin si një hapësirë të rëndësishme diskutimi për të ardhmen e kontinentit evropian, por edhe për çështjet e sigurisë në rajon dhe sfidat me karakter global.
Të lidhura
None found
“Ky edicion i 19-të i Forumit është i përqendruar në temën: Epoka e Multipolaritetit: Shumë Drejtime, Një e Ardhme. Megjithatë, për Shqipërinë ka vetëm një drejtim që të çon drejt të ardhmes sonë: anëtarësimi në BE”, shkroi Hoxha.
Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se, teksa Shqipëria ecën përpara në këtë proces, vendi mbetet i angazhuar në forcimin e bashkëpunimit në rajon, në mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe në bashkëpunimin e ngushtë me partnerët për ndërtimin e një Evrope më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë.
