Ryu Murakami, shkrimtar dhe regjisor japonez, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare. Vdekjen e tij e njoftoi të premten shtëpia botuese Gentosha, duke shprehur dhimbjen për humbjen e një autori që, përgjatë karrierës, i shtyu vazhdimisht kufijtë e letërsisë.
Në krijimtarinë e tij, sfidimi i normave shoqërore shkonte krah trajtimit të aspekteve më të errëta të shoqërisë bashkëkohore. Romanet provokuese të Murakamit ndërthurnin dhunën dhe varësitë me tjetërsimin e krizën e identitetit, duke i dhënë atij një vend të dallueshëm në letërsinë japoneze, sidomos mes lexuesve të rinj.
Të lidhura
None found
Njohja për autorin erdhi me debutimin letrar të vitit 1976, “Vija blu në lëkurë transparente”. Në qendër të romanit është rrënimi i një rinie rebele, të zhytur në teprime dhe sjellje vetëshkatërruese. Kjo vepër i solli çmimin Akutagawa, ndër vlerësimet letrare më prestigjioze të Japonisë.
Pas katër vjetësh doli “Fëmijët e dollapëve të bagazheve” (Coin Locker Babies). Romani ndjek përpjekjet për mbijetesë në botën e zymtë të Tokios të dy fëmijëve të lënë në dollapët e bagazheve të një stacioni hekurudhor. Një tjetër titull i njohur i krijimtarisë së tij, “Në supën e misos” (In the Miso Soup), e çon lexuesin drejt anëve të errëta të jetës së natës në kryeqytetin japonez.
Me rrëfimin e drejtpërdrejtë dhe personazhet e përfshirë nga trazira të brendshme, shkrimtari shqyrtoi vetminë, dhunën dhe shkëputjen e lidhjeve mes njerëzve. Ndikimi i veprës së tij u shtri edhe jashtë Japonisë, falë përkthimeve në shumë gjuhë, mes tyre gjermanishtja.
Në kujtimin e Gentosha-s, Murakami ishte një njeri që jetoi me vrull, duke i paraprirë kohës së vet.
Ndarja e tij nga jeta e lë letërsinë pa një autor që zgjodhi të mos e paraqiste realitetin të zbukuruar. Përkundrazi, ai e vendosi lexuesin përballë kundërthënieve, plagëve dhe aspekteve më shqetësuese të tij.






