Grabiti me thikë portofolin e një 17-vjeçari, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë; procedohen edhe dy familjarë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 25-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen me dhunë të portofolit të një të mituri në rrugën “Hoxha Tasim”. Gjatë ngjarjes, 17-vjeçari ka pësuar dëmtime trupore.

Ngjarja është kallëzuar më 20.10.2026, kur i mituri ka deklaruar se një person i panjohur e ka kërcënuar me një mjet prerës, thikë, dhe i ka marrë portofolin me dhunë.

Të lidhura

None found

Pas veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 identifikuan dhe ndaluan mbrëmjen e datës 22.10.2026 shtetasin F. M., 25 vjeç. Ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Në vijim të procedurave, efektivët e Policisë ushtruan kontroll në banesën e 25-vjeçarit.

Gjatë ndërhyrjes për kryerjen e kontrollit, babai dhe motra e të riut kundërshtuan punonjësit e Policisë, duke synuar pengimin e tyre në ushtrimin e detyrës.

Për këtë arsye, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. M. dhe M. M., për veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.


Shtuar më 23.10.2026 16:11