Eurodeputetja Anna Strolenberg ka reaguar për paralajmërimet që, sipas saj, u janë përcjellë qytetarëve shqiptarë në lidhje me pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Përmes një deklarate publike, ajo mohoi se pjesëmarrësve në protesta mund t’u refuzohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar një pretendim të tillë si të pavërtetë.
Të lidhura
None found
Strolenberg tha se kishte marrë informacion për paralajmërime që i atribuohen kryeministrit Rama, sipas të cilave protestimi mund të ndikonte në lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt BE-së.
“Më është thënë se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i RREMË!”, deklaroi eurodeputetja.
Ajo u kërkoi shqiptarëve të mos lejojnë që këto paralajmërime të ndikojnë tek ata dhe të vijojnë të ushtrojnë të drejtën për tubim paqësor.
“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për tubim paqësor. E di që këto janë kohë të vështira dhe shqetësuese. Ruani veten!”, përfundoi Anna Strolenberg.







