Bardhi i përgjigjet Ramës pas sulmit ndaj studentëve: Turp të baltosësh qytetarët, për të pandehurit e SPAK kërkon prezumim të pafajësisë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili sulmoi studentët dhe protestuesit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi të turpshëm faktin që kreu i qeverisë del e baltos qytetarët.

Sipas tij, Rama po aplikon standarde të dyfishta, teksa për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, kërkon të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

Të lidhura

None found

Bardhi përmendi edhe një sërë emrash të tjerë nga radhët e mazhorancës, të cilët janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, duke theksuar se kriminelët e vërtetë ndodhen në qeveri dhe jo në rrugë mes të rinjve që protestojnë.

REAGIMI I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Kur mungojnë përgjigjet për kërkesat e rinisë, rruga më e thjeshtë bëhet shpifja dhe baltosja. Megjithatë, faktet flasin vetë.

Po të kishte treguar Edi Rama kujdes për të verifikuar të shkuarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të tij, Shqipëria nuk do të kishte arritur në këtë pikë.

Sakaq, për të mbajtur pushtetin, ai ka provuar se është i gatshëm të vendosë në poste drejtuese individë me lidhje me krimin e organizuar. Nga ana tjetër, për të goditur këdo që e sheh si rrezik për pushtetin, nuk ngurron të përdorë çdo mjet, duke përfshirë përpjekjet për të kriminalizuar kundërshtarët dhe qytetarët shqiptarë.

Për Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin apo Ergys Agasin, na kërkohet të heshtim dhe t’i konsiderojmë të pafajshëm, ndërsa qytetarët që protestojnë duhet të shpallen fajtorë pa asnjë provë dhe pa vendim gjykate.

Për Edi Ramën, pushteti duket se ka peshuar gjithmonë më shumë se integriteti, përgjegjësia dhe interesi qytetar. Pikërisht ky qëndrim është një nga shkaqet që Shqipëria gjendet sot në këtë situatë.