Real Madridi ka bërë të ditur zyrtarisht se ka mbyllur me mirëkuptim kontratën me mesfushorin Dani Ceballos.
Spanjolli 29-vjeçar largohet tashmë nga ‘Santiago Bernabeu’ si lojtar i lirë, edhe pse marrëveshja e tij me klubin kishte ende një vit afat.
Të lidhura
None found
Në deklaratën zyrtare të klubit thuhet: “Real Madrid dhe Dani Ceballos kanë vendosur, me marrëveshje të përbashkët, të përfundojnë periudhën e tij si lojtar i klubit tonë”.
Ceballos u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2017 nga Real Betis, në një kohë kur konsiderohej një nga mesfushorët e rinj më premtues në Spanjë.
Sidoqoftë, aventura e tij në kryeqytetin spanjoll nuk shkoi sipas pritshmërive. Pas dy sezonesh me hapësira të kufizuara në lojë, ai u dërgua në huazim te Arsenali për dy vite.
Pas rikthimit në Madrid, Carlo Ancelotti e bindi të qëndronte, por megjithëse pati disa paraqitje të mira, ai nuk arriti të siguronte një vend të rregullt në formacionin titullar.
Në sezonet e fundit, prania e tij në fushë ishte e kufizuar, sidomos në gjysmën e dytë të sezonit 2025/26, periudhë gjatë së cilës pati edhe një përplasje me Alvaro Arbeloan.
Tani që është larguar si lojtar i lirë nga Real Madridi, gjithçka lë të kuptohet se destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë rikthimi te klubi i fëmijërisë, Real Betis, po ashtu si transfer i lirë.
Gjatë periudhës së tij me ekipin e parë të Real Madridit, ai zhvilloi 215 ndeshje dhe fitoi 16 trofe: 3 Liga të Kampionëve, 4 Kupa të Botës për Klube, 3 Superkupa të Europës, 2 La Liga, 1 Kupë të Mbretit dhe 3 Superkupa të Spanjës.
