Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Vullnet Gashit për aksidentin me fatalitet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në seancën e së enjtes u vazhdua me dëgjimin e ekspertit të komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni. Ai deklaroi se, duke marrë parasysh që aksidenti ka ndodhur në një rrugë me tre shirita qarkullimi në një drejtim dhe se këmbësori është goditur në shiritin e tretë, kjo nënkupton se viktima nuk kishte hyrë befas në rrugë.
Ky rast lidhet me aksidentin e ndodhur në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, ku si pasojë humbi jetën këmbësori F.B., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të lidhura
None found
Maxhuni tha gjithashtu se, megjithëse para të akuzuarit kishte qenë një kamion me përmasa të mëdha, kjo nuk përbënte pengesë, pasi sipas tij Gashi është dashur të tregonte kujdes të shtuar për shkak se kamioni kishte qenë i ndalur.
Sipas ekspertit, në asnjë prej dokumenteve të lëndës nuk evidentohet se drejtuesi i veturës kishte frenuar.
Ai shtoi se nuk mund të japë një vlerësim paraprak nëse aksidenti do të ishte shmangur po qe se shoferi do të lëvizte me shpejtësinë e lejuar.
Po ashtu, Maxhuni theksoi se nuk mund të përcaktojë saktësisht momentin e goditjes së të ndjerit F.B., pasi nuk ekziston video-incizim ku shihet çasti i përplasjes, si dhe nuk ka pamje që tregojnë ndaljen e veturës në atë moment.
Sipas tij, në çastin e përplasjes, tashmë i ndjeri kishte rënë në tokë, ndërsa gjurmët e dëmtimeve në automjet janë konstatuar në xhamin e përparmë, në anën e djathtë të veturës.
Eksperti deklaroi edhe se ligji ua lejon këmbësorëve ta kalojnë rrugën në një largësi mbi 50 metra nga vendkalimi i këmbësorëve.
Seanca vijoi edhe me dëshminë e ekspertit tjetër të komunikacionit, Durak Cakiqi. Ai tha se, bazuar në analizën hapësinore dhe kohore, drejtuesi i veturës, në këtë rast i akuzuari Gashi, nuk ka pasur mundësi teknike për ta shmangur aksidentin, sepse rruga e ndaljes së automjetit ka qenë më e gjatë se distanca nga e cila ai ka mundur ta vërejë këmbësorin.
Cakiqi u shpreh se, sipas vlerësimit të tij të mbështetur në llogaritjen e shpejtësisë dhe analizën e rrjedhës së aksidentit, përplasja ka ndodhur në sekondën 53.52 të video-incizimit. Ai tha se goditja fillestare ndaj të ndjerit është bërë në pjesën ballore të automjetit, konkretisht në tabelën e regjistrimit në anën e majtë, më pas në kapakun e motorit, dhe më tej trupi është hedhur në xhamin e përparmë të veturës në anën e djathtë.
Ndër të tjera, Cakiqi sqaroi se automjetet sportive, për shkak të lartësisë më të ulët, gjatë goditjes së këmbësorëve bëjnë që këmbësori të hidhet më lart krahasuar me automjetet standarde.
Ai shtoi se, sipas përllogaritjeve analitike, aksidenti do të mund të evitohej nëse shpejtësia e lëvizjes do të ishte deri në 21 km/h, ndërsa në shpejtësi mbi 40 km/h kjo do të ishte e pamundur.
Ndryshe, çështja fillimisht ishte duke u gjykuar nga gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por pas degradimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, lënda i kaloi gjyqtarit Driton Berisha.
Në seancën fillestare të mbajtur më 18 tetor 2024, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i ngarkohet.
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të rezervuar vetëm për autobusë dhe taksi, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor. Sipas aktakuzës, ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, gjendjen dhe llojin e saj, në mënyrë që të mund ta ndalte mjetin përpara çdo pengese të mundshme, duke rrezikuar kështu trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet po ashtu se, në kohën kur tani i ndjeri F.B. po kalonte rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, nga e majta në të djathtë sipas drejtimit të lëvizjes së automjetit, në shiritin e mesëm po lëvizte një kamion. Me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri, me pjesën e parë ballore të veturës, e ka goditur të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka vdekur.
Sipas aktakuzës, Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023 konstaton se vdekja e të ndjerit F.B. ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku përshkruhen edhe lëndimet trupore që ai kishte marrë nga aksidenti.
Me këtë, Vullnet Gashi akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
