Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka bërë një tjetër denoncim lidhur me projektin e qeverisë “Smart City”.
Ajo theksoi se një kredi prej 118 milionë dollarësh nga Fondi i Abu Dhabit, që qeveria dërgoi për ratifikim në Kuvend në mars të vitit 2025, do të do të financojë një kontratë që sipas së cilës do t’i jepet pa tender dhe pa transparencë kompanisë “Presight Al Ltd”, e lidhur me grupin G42.
Të lidhura
None found
PD thekson se vlera e projektit arrin rreth 140 milionë dollarë me TVSH dhe se kostot janë fryrë artificialisht deri në 80 milionë dollarë, sidomos në komponentët e softuerit dhe mirëmbajtjes.
“Në vend që këto para të investoheshin për nevojat urgjente të qytetarëve shqiptarë, ato do të përdoren për të financuar një kontratë gjigante që do t’i jepet pa tender, pa garë dhe pa transparencë kompanisë Presight Al Ltd, e lidhur me grupin G42 nga Abu Dhabi.
Vlera reale e kontratës arrin në rreth 140 milionë dollarë me TVSH, ndërsa analiza e kostove ngre dyshime serioze se projekti është fryrë artificialisht deri në 80 milionë dollarë”, tha Vangjeli.
Sipas dokumenteve të huasë, projekti ndahet në 31.13 milionë dollarë për licenca softueri, 62.4 milionë dollarë për harduer dhe infrastrukturë, 7.84 milionë dollarë për shërbime profesionale dhe 17.13 milionë dollarë për mirëmbajtje katërvjeçare.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm për softuer dhe mirëmbajtje shpenzohen mbi 48 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet fizike si kamerat dhe sistemet e monitorimit.
“Projekti parashikon instalimin e 8,657 pajisjeve monitoruese, përfshirë kamera ANPR, kamera PTZ dhe kamera trupi për Policinë e Shtetit. Megjithatë, kostoja mesatare rezulton në rreth 13,688 dollarë për pajisje pa interes dhe afro 15,878 dollarë për pajisje me interes të llogaritur, nivele që ngjallin pikëpyetje serioze mbi arsyeshmërinë e shpenzimeve“, shtoi ajo.
DEKLARATA E PLOTE:
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Në mars të vitit 2025, qeveria dërgoi në Kuvend për ratifikim një kredi prej 118 milionë dollarësh nga Fondi i Abu Dhabit, me afat shlyerjeje 15-vjeçar dhe interes 4 për qind në vit.
Në vend që këto para të investohesshin për nevojat urgjente të qytetarëve shqiptarë, ato do të përdoren për të financuar një kontratë gjigante që do t’i jepet pa tender, pa garë dhe pa transparencë kompanisë Presight Al Ltd, e lidhur me grupin G42 nga Abu Dhabi.
Vlera reale e kontratës arrin në rreth 140 milionë dollarë me TVSH, ndërsa analiza e kostove ngre dyshime serioze se projekti është fryrë artificialisht deri në 80 milionë dollarë.
Sipas dokumenteve zyrtare të huasë, projekti ndahet në:
31.13 milionë USD për licenca softueri;
62.4 milionë USD për harduer dhe infrastrukturë;
7.84 milionë USD për shërbime profesionale;
17.13 milionë USD për mirëmbajtje katërvjeçare.
Kjo do të thotë se mbi 48 milionë dollarë shpenzohen vetëm për softuer dhe mirëmbajtje, pa përfshirë kamerat dhe pajisjet fizike.
Projekti parashikon instalimin e 8,657 pajisjeve monitoruese, përfshirë kamera ANPR, kamera PTZ dhe kamera trupi për Policinë e Shtetit.
Megjithatë, kostoja mesatare rezulton në rreth 13,688 dollarë për pajisje pa interes dhe afro 15,878 dollarë për pajisje me interes të llogaritur, nivele që ngjallin pikëpyetje serioze mbi arsyeshmërinë e shpenzimeve.
Krahasimet me çmimet publike të tregut për sistemet moderne të video-monitorimit tregojnë se vetëm zëri i softuerit dhe mirëmbajtjes rezulton rreth shtatë herë më i lartë se referencat ndërkombëtare për sisteme të ngjashme. Diferenca e pajustifikuar arrin në mbi 41 milionë dollarë vetëm në këtë komponent.
Sipas të dhënave të kompanive ndërkombëtare të specializuara në teknologjitë e sigurisë dhe monitorimit, një sistem i ngjashëm për Shqipërinë, me një popullsi rreth 2.4 milionë banorë, do të kushtonte nga 50 deri në 90 milionë dollarë, shumë më pak se 118.5 milionë dollarët e kontratës së propozuar.
Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me kostot.
Projekti ‘Smart City / Safe Nation’ synon ngritjen e një infrastrukture të avancuar monitorimi me kamera, inteligjencë artificiale dhe qendër të centralizuar kontrolli.
Në mungesë të transparencës mbi mënyrën e përdorimit të sistemit, ruajtjen e të dhënave, aksesin në informacion, auditimin e pavarur dhe garancitë për mbrojtjen e privatësisë, lindin shqetësime serioze për ngritjen e një mekanizmi të survejimit masiv të qytetarëve.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë pse po marrin një borxh të ri prej 118 milionë dollarësh për të financuar një kontratë të dhënë pa garë dhe pa konkurrencë, ndërsa ekspertët vlerësojnë se e njëjta teknologji mund të sigurohej me dhjetëra miliona dollarë më pak.
Pa transparencë, pa tender dhe pa publikimin e kostove reale, ky projekt mbetet nën hijen e dyshimeve për shpërdorim fondesh publike, favorizim të kompanive të përzgjedhura dhe cenim të lirive themelore të qytetarëve.
Ne kërkojmë publikimin e menjëhershëm të preventivit të analitik të plotë, auditim të pavarur ndërkombëtar të kostove dhe garanci ligjore të qarta për mbrojtjen e të dhënave personale të çdo qytetari shqiptar.
Asnjë qeveri nuk mund të marrë në emër të shqiptarëve qindra milionë dollarë borxh dhe t’i shpenzojë ato pa konkurrencë, pa llogaridhënie dhe pa transparencë.
