Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar këtë të martë lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në të.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për t’iu bashkuar një proteste që, siç e cilëson, përmbledh “7-8 agjenda”, ku disa prej tyre i konsideron primitive dhe shumë të rrezikshme për vendin.
Të lidhura
None found
Braçe thekson se roli i tij është në Kuvend dhe se përballjen me partinë e tij e bën drejtpërdrejt, sa herë që gjykon se ka vend për kritikë dhe llogaridhënie.
Deputeti socialist nënvizon se do të vijojë të mbajë qëndrime kritike ndaj Partisë Socialiste dhe qeverisë, duke kërkuar përgjegjësi, duke debatuar, kundërshtuar dhe propozuar zgjidhje për çështje që, sipas tij, nuk po marrin vëmendjen e duhur.
Ai sqaron gjithashtu se nuk e sheh të nevojshme të përdorë protestën si mjet për të shprehur kundërshtitë e veta, pasi zgjedh t’i thotë ato hapur përballë drejtuesve të partisë dhe brenda strukturave të saj.
Reagimi i Braçes:
“PËRGJIGJE PËR TRE GJËRA;
UNË JAM SOCIALIST, NUK BËHEM I PAVARUR,
JAM PARTIZAN, JO NEUTRAL, MBAJ QËNDRIME,
NUK DALE MËNJANË!
UNË JAM DEPUTET I ZGJEDHUR NË TIRANË, NUK JAM PREJ LISTËS, KAM BËRË DEPUTETIN, BËJ DEPUTETIN,
DO VIJOJ TË BËJ DEPUTETIN, NUK DORËHIQEM!
DO VIJOJ T’I RRI PËRBALLË PARTISË SIME, DUKE THËNË TË VËRTETËN, DUKE KËRKUAR LLOGARI, KRITIKUAR, DEBATUAR, KUNDËRSHTUAR, PROPOZUAR, MIRATUAR ATY, SY MË SY E NGA ÇDO CEP I TERRITORIT QË MBULOJ SI DEPUTET; PRA NUK KAM NEVOJË PËR PROTESTËN E NUK DUA KAPITAL POLITIK PREJ SAJ!
Pra;
Askush nuk do ta besonte që po të largohesha nga grupi i PS, do të isha i pavarur, madje as ata që ma shkruajnë këtë; unë jam në PS që prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të dhe kam punuar bashkë me të, kam zhvilluar beteja aty dhe prej aty, si socialist, duke mbajtur qëndrime e pa qenë kurrë neutral, pra i pavarur.
Ndërkohë, kam bërë deputetin, e bëj deputetin dhe do të vazhdoj ta bëj, jo vetëm në NJËSINË 5, por në të gjithë Tiranën. Sot nuk ka njeri në njësinë time që të mos e dijë se kë ka deputet. Nuk ka njeri në Tiranë që të mos e dijë se unë jam deputet i këtij Qarku. Nuk gjen askënd të thotë se deputeti nuk më ka ardhur në njësi, lagje, bllok, rrugë, rrugicë, shesh poshtë pallatit, apo që deputeti nuk më është përgjigjur, nuk më ka përfaqësuar në Kuvend për hallet e shqetësimet e mia apo të lagjes. Pra, e kam bërë punën, e bëj punën, do ta bëj punën, nuk jap dorëheqjen dhe do të respektoj 25 mijë njerëzit që më votuan e më besuan këtë detyrë.
Në fund, sigurisht që do të vazhdoj t’i qëndroj përballë partisë sime për të vërteta që ajo refuzon t’i shohë ose i ka jashtë çdo axhende për 1001 arsye, përfshi shpërfilljen, përjashtimin apo arrogancën; unë kam hapësirën e mjaftueshme për ta bërë këtë pa asnjë rezervë, siç ndodhi të shtunën, sy më sy me kryeministrin dhe qeverinë. Prandaj nuk kam nevojë të jem në protestën me 7-8 axhenda, disa primitive e shumë të rrezikshme për këtë vend, por e bëj përballë dhe sy më sy, duke qenë i përgjegjshëm, duke marrë dhe kërkuar përgjegjësi!”
