Industria automobilistike kanadeze duket se është prekur fort nga politikat tarifore të administratës së Donal Trump.
Të dhënat e Qendrës për Kërkime në Industrinë e Automjeteve (CAR) tregojnë se deri në fund të prillit, prodhimi i automjeteve në Kanada ka shënuar rënie me 15%, çka nënkupton afro 64 mijë automjete më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën kohë, uzinat në Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar rritje të prodhimit me rreth 44 mijë automjete, ose 1.2%.
Sipas ekspertëve, automjetet që prodhohen në Kanada përballen me tarifa efektive prej 12–13% gjatë eksportit drejt SHBA-së, megjithëse shumë prej tyre kanë mbi 50% të pjesëve të prodhuara në Amerikë.
Si rezultat, një pjesë e prodhimit është zhvendosur drejt fabrikave amerikane, ndërsa disa impiante në Kanada kanë reduktuar aktivitetin ose e kanë ndërprerë atë përkohësisht.
Gjendja është përkeqësuar edhe më tej nga pezullimi i prodhimit në fabrikën CAMI të GM në Ontario, si edhe nga ulja e përkohshme e prodhimit të Toyota RAV4 për shkak të kalimit te modeli i ri.
Për rrjedhojë, automjetet e prodhuara në SHBA kanë zgjeruar pjesën e tyre në treg, ndërsa Kanadaja dhe Meksika kanë pësuar rënie të ndjeshme në prodhim dhe shitje.
Ekonomisti Tyler Harp vlerëson se tarifat nuk i kanë tkurrur në mënyrë domethënëse importet nga jashtë Amerikës së Veriut, por kanë ndikuar në zhvendosjen e prodhimit dhe të shitjeve brenda rajonit.
Nga ana tjetër, qeveria e Kanadasë po shqyrton mundësinë që të tërheqë prodhues kinezë të automjeteve për të investuar dhe për të prodhuar makina në territorin e saj.
