Mate Rimac rrëfen vjedhjen e Bugatti Chiron-it të tij, me vlerë 3 milionë dollarë

Mate Rimac, Drejtori Ekzekutiv i Bugatti-t, ka bërë të ditur se i është vjedhur një prej automjeteve të tij.

Bëhet fjalë për një Bugatti Chiron, vlera e të cilit arrin në 3 milionë dollarë.

Të lidhura

None found

Ngjarjen ai e ka treguar përmes një postimi në Instagram, ku ka publikuar edhe pamje nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë çastin kur supermakina u mor nga fabrika.

Rimac shpjegoi se zakonisht i lë çelësat në makinë, sidomos kur ndodhet në vendin e punës.

Sipas tij, automjetet përdoren rregullisht nga kolegët për testime dhe qëllime të tjera.

Këtë herë, megjithatë, askush nuk kishte dijeni se kush e kishte marrë Chiron-in. Dyshimet për vjedhjen lindën vetëm pasi një person e njoftoi se makina mund të ishte zhdukur.

Të dhënat e siguruara treguan se hajduti po udhëtonte në drejtim të Sllovenisë.

Për ta ndjekur, Mate Rimac u nis me Porsche-n e tij 911, por para se të arrinte ta ndalonte, i dyshuari kishte hyrë në Austri.

Ndërkohë, policia kroate, në bashkëpunim me autoritetet austriake, kishte nisur kërkimet për automjetin dhe arriti ta arrestonte personin. /Telegrafi/


Shtuar më 29.10.2026 23:47