Për shkak të valës së të nxehtit që pritet të godasë Britaninë në ditët në vijim, dhjetëra shkolla në Angli dhe Uells kanë vendosur ose të mbyllin dyert, ose të kufizojnë orarin e mësimit.
Mes shkollave që kanë bërë publike këto masa është Shkolla Buckingham në Buckinghamshire, e cila do ta zhvillojë procesin mësimor online për dy ditë. Po ashtu, St John’s Marlborough në Wiltshire ka njoftuar se do të qëndrojë e mbyllur deri të premten.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, edhe Akademia Dorcan në Swindon ka bërë të ditur se mësimi do të mbyllet më herët, ndërsa institucioni do të mbetet i mbyllur për dy ditë.
Vendime të ngjashme janë marrë edhe nga shkolla të tjera në Wiltshire, Slough, Reading, Surrey dhe Londër, teksa drejtuesit e institucioneve arsimore po përpiqen të ulin sa më shumë rreziqet që temperaturat e larta paraqesin për nxënësit dhe personelin.
Shoqata Kombëtare e Drejtorëve të Shkollave (NAHT) ka shpërndarë udhëzime për përballimin e kësaj situate, duke nënvizuar se, edhe pse nuk ka një kufi maksimal të përcaktuar me ligj për temperaturat në shkolla, drejtuesit duhet të marrin çdo hap të nevojshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Sekretari i përgjithshëm i NAHT-së, Paul Whiteman, u shpreh se drejtuesit e shkollave do të bëjnë gjithçka të mundur për të zbutur pasojat e temperaturave ekstreme, të cilat pritet të arrijnë nivele të pazakonta për Britaninë.
