Pas 1 ore e 20 minutash, ka marrë fund raundi i parë i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që u mbajt në Bürgenstock të Zvicrës, sipas raportimeve të mediave iraniane.
Agjencia e lajmeve Fars bëri të ditur se, menjëherë pas përmbylljes së takimit, delegacionet e të dyja palëve u tërhoqën për konsultime të brendshme. Deri tani, nuk janë dhënë informacione mbi përfundimet e diskutimeve.
Të lidhura
None found
Përpara se të nisnin bisedimet, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance shfaqi besim se mund të arrihet një zgjidhje përmes diplomacisë. Ai tha se presidenti Donald Trump i ka dhënë ekipit amerikan autorizim të plotë për të kërkuar zgjidhje për çështjet që ndikojnë në Lindjen e Mesme.
“Presidenti Trump na ka autorizuar të gjejmë një zgjidhje diplomatike për një numër çështjesh”, deklaroi Vance, duke nënvizuar se këto negociata mund të krijojnë mundësi për një transformim të marrëdhënieve në rajon.
Megjithëse e përshkroi Iranin si një element destabilizues në Lindjen e Mesme, ai tha se gjatë orëve të fundit është regjistruar përparim i konsiderueshëm në kontaktet diplomatike.
Vance shtoi gjithashtu se administrata amerikane ka si objektiv nxitjen e një armëpushimi më të gjerë në rajon, ku përfshihet edhe ruajtja e armëpushimit në Liban.
Nga pala iraniane nuk pati deklarata pas përfundimit të takimit. Teherani ka ritheksuar se çdo marrëveshje me SHBA-në është e lidhur me ruajtjen e paqes në Liban dhe me respektimin e armëpushimit nga Izraeli.
Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, u shpreh se tema kryesore e këtyre bisedimeve do të ishte situata në Liban. Sipas tij, në tryezë do të ishin edhe çështjet që kanë të bëjnë me asetet iraniane dhe eksportet e naftës.
Ndërkaq, Fars raportoi, duke iu referuar një burimi ushtarak iranian, se Ngushtica e Hormuzit vijon të mbetet e mbyllur për lundrimin e anijeve.
Edhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif shprehu shpresën që këto bisedime të përfundojnë me një marrëveshje që do të ndihmojë paqen, progresin dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
