Patrick Vieira ka rezervuar vlerësime të jashtëzakonshme për Michael Olise, duke theksuar se futbollisti i Bayern Munichut zotëron cilësi që mund ta çojnë në nivelin e Zinedine Zidane dhe madje ta bëjnë një ditë fitues të Topit të Artë.
Në një prononcim për L’Equipe, legjenda e futbollit francez u shpreh se talenti, krijimtaria dhe rritja e shpejtë e Olise e vendosin atë mes lojtarëve më premtues të gjeneratës së tij.
Të lidhura
None found
“Koha do të tregojë nëse ai do të bëhet një Zidane, një Platini apo një lojtar i atij niveli. Por për një gjë jam i bindur: ai e ka potencialin. Ai ka potencialin e Zidane. Ka atë kreativitet, atë finesë dhe atë efikasitet që e bëjnë të veçantë”, deklaroi Vieira.
Ish-kapiteni i Francës ndaloi vëmendjen edhe te forma shumë e mirë që Olise ka treguar këtë edicion me Bayern Munichun, duke e konsideruar atë si provë të qartë të përparimit të tij të madh.
“Ajo që ka bërë me Bayernin këtë sezon është vërtet e jashtëzakonshme. Ai është një lojtar që, me më shumë përvojë në nivel klubesh dhe me kombëtaren e Francës, do të piqet edhe më shumë. Dhe kur kjo të ndodhë, ai do të shpërthejë plotësisht”, shtoi Vieira.
Vieira e çoi edhe më tej këtë vlerësim, duke e përmendur Olise si një emër që në të ardhmen mund të synojë çmimin më të rëndësishëm individual në futboll.
“Ai është një fitues i ardhshëm i Topit të Artë, pa asnjë dyshim. Kupa e Botës do t’i japë edhe më shumë vetëbesim dhe më pas ai do të shpërthejë plotësisht në skenën botërore”, përfundoi Vieira.
