Vllaznia fitoi 2-0 ndaj Tiranës në Klasiken e Shqipërisë, duke dhënë sinjale të qarta për një përmirësim nën drejtimin e trajnerit Csaba Laszlo. Përveç tri pikëve që e ndihmojnë skuadrën shkodrane të ngjitet në renditje, kuqeblutë zhvilluan edhe një paraqitje bindëse.
Pas përfundimit të takimit, Laszlo u shpreh se fitorja kishte një rëndësi të veçantë për skuadrën, veçanërisht për shkak të situatës në klasifikim. Sipas tij, ekipi mund të përmirësohet edhe më shumë, por rezultati dhe mënyra e lojës ishin pozitive.
Të lidhura
None found
“Tri pikët ishin shumë të rëndësishme për ne. E dimë se mund të bëjmë më mirë, megjithatë sot morëm një rezultat të mirë. Kemi ende shumë punë përpara. E prisnim një fitore, sidomos në një derbi të tillë, pasi triumfi në derbi sjell gjithmonë një ndjesi të veçantë. Në pozicionin ku ndodhemi në renditje, çdo pikë është e domosdoshme”, tha trajneri i Vllaznisë.
Laszlo theksoi se aktualisht duhet të përshtatet me situatën dhe të ndihmojë lojtarët të gjejnë rolet ku mund të japin maksimumin. Ai shtoi se kur mbërriti në klub, objektivi i parë ishte ndërtimi i një ekipi, proces që vijon ende.
“Më duhet të improvizoj shumë, sepse skuadra nuk është ende plotësisht gati. Duhet të punojmë që çdo lojtar të gjejë pozicionin ku mund të japë më të mirën. Kur erdha këtu, gjëja kryesore ishte të krijonim një ekip dhe ende po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Trajneri hungarez nuk e konsideroi shqetësuese paraqitjen e qendërmbrojtësve, edhe pse pranoi se gabimet janë pjesë e lojës, sidomos kur aktivizohen futbollistë që nuk kanë pasur shumë minuta.
“Nuk mund të them se jam i zhgënjyer nga ato gabime. E kemi analizuar ndeshjen. Aktivizuam lojtarë që nuk kishin luajtur shpesh, përfshirë qendërmbrojtësit, ndaj gabime të tilla mund të ndodhin. Megjithatë, gjatë 90 minutave ata treguan se mund ta mbajnë mbrojtjen të organizuar. Pas ndeshjes me Egnatian isha më i irrituar”, deklaroi Laszlo.
Ai veçoi edhe gabimin e Gurishtës në sfidën ndaj Egnatias, duke nënvizuar se kundërshtari nuk e kishte detyruar në atë veprim. Sipas tij, në ndeshje si ajo ndaj Tiranës, eksperienca e të dy qendërmbrojtësve ishte e nevojshme.
“Gurishta bëri një gabim që nuk erdhi si pasojë e presionit të kundërshtarit. Megjithatë, vazhdoj të mendoj se në ndeshje të tilla na duhej përvoja e të dy lojtarëve. Jam i kënaqur, sepse ai ishte gabimi i vetëm i madh. Çdo gol ndryshon rrjedhën e një takimi dhe sot portieri ynë bëri pritje shumë të mira”, tha trajneri.
Laszlo bëri të ditur se Vllaznia do të vazhdojë të kërkojë një futbollist për qendrën e mbrojtjes, ndërsa deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje do t’u besojë sërish lojtarëve aktualë në atë repart.
“Shpresojmë të gjejmë lojtarin e duhur për qendrën e mbrojtjes. Deri atëherë, do t’i përdor edhe në ndeshjet e ardhshme në atë pozicion”, u shpreh ai.
Trajneri foli edhe për emocionet e shfaqura gjatë ndeshjeve, duke kujtuar eksperiencën e tij shumëvjeçare në televizionet hungareze, ku analizonte Champions-in dhe takimet e kombëtareve.
“Kam punuar për shumë vite në një televizion në Hungari, ku flisja për Champions-in dhe ndeshjet e kombëtareve. Edhe vetë pyesja veten për reagimet e mia. Emocionet dolën në pah, por kjo nuk është mënyra ime e zakonshme. Në ndeshjen me Egnatian u çmenda, sepse ata ishin ekipi më i mirë në pjesën e dytë dhe humbën shumë raste”, tregoi Laszlo.
Në përfundim, ai pranoi se edhe Vllaznia pati mundësi të tjera për të shënuar, ndaj skuadra duhet të punojë për të qenë më efikase. Megjithatë, dy golat, porta e paprekur dhe paraqitja kolektive e kënaqën trajnerin.
“Edhe sot patëm raste të tjera që mund t’i shndërronim në gola dhe duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Shënuam dy herë dhe nuk pësuam. Disa lojtarë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, ndërsa mbi të gjitha skuadra u shfaq si një e tërë. Ky ishte sekreti i fitores së sotme”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.




