Erjon Vishkulli, 28 vjeç, është personi që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. I riu u godit me plumb gome, ndërsa pamjet ku shfaqej me fytyrën të mbuluar nga gjaku u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe bënë publik identitetin e tij.
Pas plagosjes, Vishkulli u transportua në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për trajtimin e dëmtimit. Deri në këtë moment, autoritetet nuk kanë dhënë një informacion të plotë zyrtar për gjendjen e tij shëndetësore.
Të lidhura
None found
28-vjeçari njihet prej vitesh nga tifozët e futbollit shqiptar. Ai është pjesë e grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe ka qenë rregullisht në tribunat e stadiumeve për të mbështetur Kombëtaren shqiptare.
Vishkulli konsiderohet një prej figurave të njohura të tifozerisë kuqezi, për shkak të pasionit të tij dhe rolit si kryetifoz në mbështetje të ekipit kombëtar. Megjithatë, këtë herë ai nuk ndodhet në stadium, por mes personave të lënduar gjatë protestës.
Rrethanat e plota të plagosjes pritet të sqarohen nga autoritetet. Ngjarja ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të pamjeve të rënda që u publikuan dhe u shpërndanë në rrjetet sociale.





