Parlamenti Europian ka miratuar së fundi një amendament që kërkon që gjuha shqipe të përdoret në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, duke e trajtuar këtë si pjesë të obligimeve për zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në tekstin e miratuar, institucioneve të Maqedonisë së Veriut u kërkohet të veprojnë pa vonesë për garantimin e të drejtave gjuhësore, ndërsa njëkohësisht theksohet se reagimi i studentëve nuk duhet të interpretohet në mënyrë të gabuar.
Të lidhura
None found
Parlamenti Europian u bën thirrje autoriteteve të RMV-së që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më të shpejtë, duke nënvizuar se protestat e studentëve nuk duhet të paraqiten si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.
“I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, thuhet në amendament.
Miratimi i këtij amendamenti nga Parlamenti Europian për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar si një zhvillim i rëndësishëm dhe si rezultat i presionit qytetar, veçanërisht i protestave të studentëve.
Bexheti kritikon qeverinë
Profesori Nexhat Bexheti, në një prononcim për “Bota sot”, e ka cilësuar pozitivisht vendimin e Parlamentit Europian për miratimin e amendamentit që lidhet me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurispondencës në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm, i ardhur si pasojë e presionit qytetar, sidomos nga studentët që kanë protestuar për këtë çështje.
“Miratimi i amandamentit për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurispondencës në Maqedoninë e Veriut, nga Parlamentu Europian është lajm për t’u përshëndetur, njëkohësisht edhe lajm inkurajues për kërkesën e studentëve të cilën e kërkuan edhe me protesta paqësore, që u tregua e arsyeshme kërkesa e studentëve.
Qeveria e RMV-së nuk e kuptoi seriozishtë kërkesën e studentëve duke u mbështetur në përvojat e kaluara kur qeveria i merte si shkel e shko kërkesat tjera që u parashtruan paraprakishtë, dhe asnjëra nuk u realizua, studentët me sa duket u frymëzuan ashtu që kjo kërkesë të mos bie në ujë si tjerat kërkesa të shqiptarëve. Studentët me siguri u pregaditën me seriozitetin e lartë pasi që edhe kërkesa është serioze dhe përmbajtsore. Premieri Mickoski aludoi duke menduar se partneri shqiptar i koalicionit do të ketë aftësi që t’a minimizojë kërkesën me premtime se gjoʻja për disa muaj do të zgjidhet problemi i sedimentuar për disa vite me radhë”, ka thënë ai.
Sipas Bexhetit, qeveria ka gabuar edhe në mënyrën se si i ka trajtuar protestat dhe sinjalet ndërkombëtare, pasi ato janë interpretuar si faktor destabilizues.
“Protestat u mbajtën dy herë, por nuk u ndëgjua nga qeveria, dhe ajo u mundua që t’a kualifikojë si shkaktare për destabilizimin e vendit, dhe se do të ndikojë negativisht për antarsimin e RMV-së në Bashkësinë Europiane. Qeveria paraprakisht ndodheshte në konflkt diplomatik me Bulgarinë,edhe vala e disa protestave e cenon stabilitetin e shtetit nga natyra ekonomike tashe edhe nga natyra etnike. Qeveria e RMV-së akoma nuk e kupton rëndësinë e raportit negativ nga Parlamenti Europian,ajo shtiret sikur është ndonjë superfuqi në rajon,nuk bindet me raporte dhe këshillime qëllim mira,politika antieuropiane e qeverisë së RMV-së, mundet të vijë në pikën kritike që Bashkimi Europian mundet të miratojë sanksione të lehta fillestare, që do të ndihet në uljen e standardit jetësor tek qytetarët aktualisht standard jetësor i tangon shtresat e qytetarëve”, ka vlerësuar ai.
Më tej, ai ka nënvizuar se protestat studentore nuk janë destabilizuese dhe se qeveria duhet të heqë dorë nga ky etiketim.
“Protestat e studentëve nuk janë destabilizuese, dhe qeveria duhet ta braktisë sintagmën “destabilizuese” për protestat. Parlamenti Evropian (PE) përafërsisht e vendos në një paralele qeverinë e RMV-së me atë të Vuçiqit, duke vlerësuar se ato janë në linja të ngjashme me politika antieuropiane, pasi nuk po i zbatojnë rregullat e anëtarësimit në BE”, ka shtuar ai.
Në përfundim, Bexheti ka deklaruar se kërkesat e studentëve janë legjitime dhe se ato tashmë gëzojnë edhe mbështetje nga institucionet evropiane.
“Kërkesat e studentëve janë në avantazh sepse edhe Parlamenti Europian i kualifikoi të arsyeshme, tani qeveria sa më shpejtë duhet t’a zgjidhë me ligj dhënjen e provimit shtetëror të jurispondencës në gjuhën shqipe. Na gëzon fakti se studentët ishin këmbëngulës dhe vigjilentë, u ankuan deri te autoritetet europiane, dhe e drejtuan një padrejtësi të kahmotçme”, ka përfunduar Bexheti për “Bota sot”.
“Do të ndjekim çdo hap deri në zbatimin e të drejtës për provimin e jurisprudencës në shqip”
Njëri nga organizatorët e protestave të studentëve shqiptarë, Suhejb Memedi nga Lëvizja Studentore dhe avokat i studentëve në Universitetin “Nëna Terezë”, ka deklaruar për “Bota sot” se monitorimi i çështjes së provimit të jurisprudencës do të vijojë deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë të garantuar, e cila ende nuk po gjen zbatim në praktikë.
“Ne jemi duke e vëzhguar çdo hap sa i përket çështjes së provimit të jurisprudencës. Kjo është një e drejtë që na garantohet, por që ende nuk po zbatohet. Parlamenti Evropian e shpjegoi qartë dje se të gjitha provimet shtetërore duhet të mbahen edhe në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mos shkelet Marrëveshja e Ohrit. Kjo nënkupton edhe një herë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë”, ka thënë ai.
Memedi ka shtuar gjithashtu se mbështetja e ardhur nga institucionet evropiane përbën një moment të rëndësishëm në këtë proces, teksa ka kritikuar edhe qasjen e pushtetit.
“Parlamenti Evropian na mbështeti dhe hodhi poshtë deklaratat e partive në pushtet. Nuk duhet të bëhet asnjë harmonizim i ligjit, nuk duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe as të ketë zgjidhje gjysmake. Kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit dhe mundësinë që provimi të jepet në gjuhën shqipe”, ka cekur ai.
Në fund, ai ka nënvizuar se forca e kësaj lëvizjeje qëndron te uniteti dhe këmbëngulja e studentëve.
“Fitoren do ta shohim vetëm atëherë kur të drejtat që na takojnë të zbatohen si në teori, ashtu edhe në praktikë. Fitorja jonë më e madhe është se u bëmë bashkë, qëndruam stoikë dhe do të shkojmë deri në fund. Një shpresë për të mos u dorëzuar u hap dje nga Parlamenti Evropian”, ka përfunduar Memedi për “Bota sot”.
