Elbasani po shfaqet si një nga ekipet më të angazhuara në merkaton e verës në Superiore. Veprimet e deritanishme dëshmojnë qartë se drejtuesit verdheblu po punojnë me ritëm të lartë, me synimin për të qenë sa më konkurrues dhe për të bërë një paraqitje dinjitoze e të suksesshme në kualifikueset e Conference League.
Në plan të parë qëndron sfida kualifikuese në UEFA Conference League. Shorti i ka vendosur përballë një kundërshtar shumë të fortë në letër si Bate Borisov, por pikërisht kjo përballje pritet të tregojë më qartë potencialin real të Elbasanit përtej kampionatit vendas. Deri më tani, rruga e ndjekur nga verdheblutë flet për një rritje të dukshme, të mbështetur te ambicia dhe dëshira për t’u përmirësuar. Më pas, vëmendja do të zhvendoset te sezoni i ri, aty ku synimi është ndërtimi i themeleve të një projekti fitues, më shumë sesa thjesht sigurimi i një vendi në top 4.
Të lidhura
None found
Për këtë arsye, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenovic ka vendosur që përgatitjet për edicionin e ardhshëm t’i zhvillojë në Zlatibor të Serbisë. Atje, përveç emrave të konfirmuar, pritet t’i bashkohen edhe afrimet e reja, ndërsa vetë trajneri do të ketë mundësinë t’i ndjekë nga afër dhe t’i përshtatë sa më mirë në skemën e tij të lojës.
Me rikthimin në kampin stërvitor, Elbasani po kalon një periudhë me lëvizje të shumta, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Edhe pse sezoni i kaluar solli një paraqitje bindëse pa u kurorëzuar me titullin kampion, në kampin elbasanas besojnë se sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më frytdhënës. Këtë bindje e ka shprehur edhe vetë Gvozdenovic në deklaratat e tij të fundit.
Një nga çështjet që kërkon zgjidhje të shpejtë është porta. Largimi i Martin Janacek ka krijuar një boshllëk që klubi synon ta mbushë sa më parë me një portier cilësor, i aftë të japë siguri në katërkëndësh. Edhe pse brenda klubit janë diskutuar disa alternativa, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar se kujt do t’i besohet ky rol.
Nga ana tjetër, reparti ofensiv është pasuruar ndjeshëm. Afrimet e Ledjo Tresës, Rubin Hebajt, Ardit Nikajt dhe Edoly Lukokit i kanë dhënë sulmit një tjetër gjallëri, ndërsa për trajnerin kjo përkthehet në një “problem” pozitiv, falë numrit të madh të alternativave në dispozicion.
