Para Komunës së Gostivarit, disa banorë të fshatit Debresh dolën sot në protestë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për problemin e furnizimit me ujë.
Gjatë protestës situata u tensionua, ndërsa një pjesë e protestuesve dëmtoi xhamat e objektit të Komunës së Gostivarit.
Të lidhura
None found
Për të qetësuar gjendjen dhe për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm të incidenteve, në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë.
Banorët protestues kërkuan zgjidhje për problemin e hershëm me furnizimin me ujë, duke theksuar se, sipas tyre, rregullimi i kësaj çështjeje është premtuar nga çdo udhëheqësi komunale.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Komuna e Gostivarit. Përmes një njoftimi për media, ajo bëri të ditur se po zhvillohen punime që Debreshi të sigurojë furnizim të rregullt me ujë dhe se ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit për këtë fshat pritet të përfundojë brenda një muaji.
“Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada. Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit. Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh, i cili pritet të përfundojë për një muaj. Pas përfundimit të punimeve, pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm. Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje”, thuhet në reagimin e Komunës.
