Mollët e Prespës mbeten në depo, kultivuesit presin rritjen e çmimit të blerjes

Kultivuesit e mollëve në Prespë paralajmërojnë se mijëra tonë prodhime mund të mos dalin në treg, për shkak të çmimit të ulët që u ofrohet. Në shenjë pakënaqësie, shumë prej tyre kanë vendosur të mos i mbledhin mollët, veçanërisht ato industriale, për të cilat çmimi është vetëm 4 denarë për kilogram. Sipas tyre, kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm, ndërsa punëtorët sezonalë kërkojnë 50 euro për ditë. Për varietetet e tjera, çmimi i blerjes shkon nga 15 deri në 25 denarë për kilogram.

Të lidhura

None found

“Çmimi i mollëve industriale është shumë i ulët, vetëm 4 denarë, ndaj nuk ia vlen t’i mbledhim. Edhe nëse angazhojmë punëtorë, edhe nëse punojmë vetë, nuk kemi leverdi. Kemi marrë premtime nga të gjitha anët, por nëse nuk marrim ndihmë, nuk e di si do të vazhdojmë me kultivimin e frutave në Prespë. Mund të ndodhë që mollët të qëndrojnë në pemishte, të bien e të kalben. Me këto çmime, disa nuk do t’i vjelin fare dhe pikat e blerjes janë bosh”, tha Vladimir Labaçeski, pemëtar nga Prespa.

Një pjesë e prodhimit aktualisht po mbahet në depo, në pritje të një ndryshimi të çmimeve. “Për momentin nuk mund t’i shesim, ndaj po i ruajmë. Mollët janë dëmtuar nga breshëri dhe duhet t’i mbajmë derisa të shohim se si do të zhvillohet çmimi. Shpresojmë të rritet. Vitin e kaluar nisëm t’i blinim mollët e para rreth 15 gushtit, me një çmim të mirë, dhe u mblodh raundi i parë. Këtë vit, pothuajse askush nuk i ka këputur mollët e para”, deklaroi Tome Nikoloski, pemëtar nga Prespa.

Situatën e vështirë e rëndon edhe fakti se prodhimi i këtij viti është dukshëm më i vogël se në sezonet e kaluara, me një rënie që, sipas kultivuesve, është më shumë se gjysma. Për më tepër, ata ende nuk kanë marrë pagesën e premtuar nga fondi i ndërhyrjes për vitin 2024, në vlerën prej 2 denarësh për kilogram.

“Nga ajo që kemi parë deri tani, kemi mbetur në baltë. Na premtojnë ndihmë, por konkretisht kërkojmë pagesën e 2 denarëve për kilogram nga viti 2024, të cilën këta njerëz e kanë të domosdoshme. Kanë kaluar dy vjet dhe ende nuk jemi paguar. Për këtë vit kërkojmë gjithashtu 3 denarë ndihmë ndërhyrjeje nga shteti për kilogram. Premtimet bëhen tani, por gjithçka shtyhet për më vonë. Tani jemi në nëntor dhe përsëri mund të na harrojnë. Ultimatumi është ky muaj: nëse do të bëjnë diçka për ne, duhet ta bëjnë tani; më pas gjithçka do të jetë e kotë, vetëm një gënjeshtër”, theksoi Dimitar Lozeski, pemëtar nga Prespa.

Kultivuesit presin ndërhyrje të shpejtë nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, me shpresën se do të marrin mbështetjen e nevojshme për ta përballuar me sukses këtë vit./Alsat/


Shtuar më 8.10.2026 21:41