Kevin-Prince Boateng i ka kërkuar Cristiano Ronaldos të heqë dorë nga vendi në formacionin titullar të Portugalisë dhe t’u hapë rrugë futbollistëve më të rinj, pas barazimit 1-1 që portugezët morën ndaj RD Kongos në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.
Në duelin e zhvilluar të mërkurën në Hjuston, Ronaldo vendosi një rekord si lojtari më i vjetër që ka nisur nga minuta e parë një takim të Kupës së Botës, por paraqitja e tij u konsiderua zhgënjyese, pasi nuk regjistroi asnjë goditje në portë.
Të lidhura
None found
Sipas ish-reprezentuesit të Ganës, prania e Ronaldos e kufizon Portugalinë që të shfaqë potencialin e saj maksimal dhe kombëtarja paraqitet më mirë pa të. Boateng vlerëson se sulmuesi portugez e ka lënë pas periudhën më të mirë të karrierës dhe se do të ishte më e arsyeshme të aktivizohej vetëm në 15-20 minutat e fundit, në vend që të startojë si titullar.
“A mund të jem i sinqertë? Nëse Ronaldo do të ishte një lojtar i vërtetë ekipi, ai do të tërhiqej dhe do t’i linte lojtarët e rinj të zhvilloheshin, sepse Portugalia është një ekip më i mirë pa të”, ka thënë fillimisht Boateng.
“Ka shumë presion kur ai është në mesfushë sepse të gjithë duan t’ia pasojnë topin. E kuptoj këtë. Kam luajtur me lojtarë të shkëlqyer si ai. Gjithmonë duhet të përqendrohesh tek ai dhe ta lësh të shënojë. E di që ai po ndjek rekorde. Ai i ka thyer të gjitha”.
Ish-mesfushori, që ka fituar Serie A me Milanin dhe La Ligën me Barcelonën, theksoi se dikur ka qenë një admirues i madh i Ronaldos, por shtoi se Portugalia duhet të bëjë zgjedhje të tjera nëse synon të shkojë larg në turne.
“Ne ishim tifozë të mëdhenj të tij. Por nëse Portugalia dëshiron të ketë një shans për të shkuar larg, besoj se Ronaldo duhet të tërhiqet, t’i lërë të tjerët të luajnë dhe të hyjë në fushë për 15-20 minutat e fundit”.
“Sepse në fund të fundit, po arrijmë moshën ku nuk mund të luajmë më në atë nivel. Dhe ato vite kanë ardhur për të, për të qenë i sinqertë”, shtoi ish-mesfushori.
