Gjatë një konference për shtyp, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar një paketë investimi prej 700 milionë dollarësh për industrinë amerikane të qymyrit, një lëvizje që synon mbajtjen në funksion të minierave ekzistuese dhe ndërtimin e dy termocentraleve të reja me bazë qymyrin.
Trump theksoi se investimi do të përfshijë 42 miniera dhe 14 termocentrale, të vendosura kryesisht në shtete që e mbështetën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Të lidhura
None found
“Ky veprim do t’u japë mundësi këtyre infrastrukturave të modernizohen, do të zgjasë jetëgjatësinë e tyre për dekada dhe do të garantojë energji të besueshme me çmime të ulëta për amerikanët”, deklaroi presidenti. Sipas tij, fondet do të përdoren gjithashtu për ndërtimin e një terminali të madh eksporti të qymyrit në Oakland të Kalifornisë, me synimin për të rritur praninë e SHBA-së në tregjet ndërkombëtare.
Trump e cilësoi qymyrin si një burim “të pastër dhe të bukur”, ndërsa njoftoi se dy termocentralet e reja do të ndërtohen në Virxhinian Perëndimore dhe Alaska, duke përdorur, sipas tij, teknologji moderne dhe më pak ndotëse. Megjithatë, plani ka shkaktuar reagime të forta nga demokratët dhe grupet mjedisore. Koalicioni për Energjinë dhe Mjedisin e Qëndrueshëm (SEEC), që përfaqëson rreth 100 ligjvënës demokratë, e akuzoi administratën Trump se po favorizon “ndotësit në kurriz të qytetarëve amerikanë”.
“Dhënia e 700 milionë dollarëve për një burim energjie të ndotur dhe joefikas vendos interesat e industrisë para shëndetit publik dhe klimës”, thuhet në reagimin e koalicionit.
Vendimi vjen në një moment kur përdorimi i qymyrit në SHBA kishte shënuar rënie të ndjeshme gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithatë, sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë, prodhimi i qymyrit ka shfaqur shenja rimëkëmbjeje gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se djegia e qymyrit mbetet një nga burimet kryesore të emetimeve të gazeve serrë, ndërsa një studim i publikuar më herët kishte lidhur ndotjen nga termocentralet me qymyr me qindra mijëra vdekje të parakohshme në SHBA.
Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka vendosur në qendër të politikës së tij energjetike lëndët djegëse fosile, duke kufizuar një sërë projektesh të energjisë së rinovueshme, veçanërisht ato të energjisë së erës.
