Gjatë një konference për mediat (19 maj 2026), ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u shpreh se Shqipëria ka marrë tre vlerësime pozitive së fundmi dhe grupi COELA i ka kaluar raportin e IBAR grupit të vendeve anëtare të BE-së për vendimmarrje.
Ndërsa e cilësoi një proces teknik, ai shpjegoi se procesi po lëviz dhe ka mbështetje institucionale, kurse cilësia e reformave vlerësohet në atë raport dhe ndodhet në duart e grupit vendimmarrës.
Të lidhura
None found
“Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme, apo që ju jeni mësuar që ta thërrisni me ankronimin teknik IBARI, ishte një proces teknik dhe tashmë ka kaluar nga grupi i punës te grupi i ambasadorëve të vendeve anëtare, të vendeve të përhershme dhe tregon se procesi lëviz dhe ka mbështetje faktike dhe institucionale të çdo mase nga ana jonë, pra të shtetit shqiptar. Në fund të ditës besoj se ky raport që ka vlerësuar të gjitha masat tona ka të bëjë me ato rezultate të prekshme që ne duam të shohim në vijim dhe që çdo qytetar shqiptar pret nga sistemi i drejtësisë në vijim. Dua të them se cilësia e reformave vlerësohet në atë raport, që është raport teknik, që e ka kaluar grupin e punës dhe tani është një grup vendimmarrës”, u shpreh ministri Gogu.
Kreu i dikasterit foli edhe për Amnistinë Penale, ku u shpreh se pret vlerësimin e Komisionit Evropian dhe se ajo do të ndodhte patjetër.
“Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament. E sigurt që ndodh brenda këtij sesioni parlamentar”, u shpreh ai.
Për Amnistinë Penale ai shtoi se:
“Është një instrument i politikës sonë penale që u dizenjua për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje. Do të ndodhë, patjetër. Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”.
Për një nga çështjet më të nxehta të drejtësisë, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave gjyqësore, sidomos edhe pas kërkesave të Ilir Metës, Erion Veliajt e Ilir Beqajt, ministri shprehu besim të plotë te pavarësia e institucioneve dhe profesionalizmi i gjyqtarëve.
“Besoj që vendimmarrja e gjykatës është tërësisht e pavarur dhe besoj në maturitetin dhe profesionalizmin e çdo gjyqtari shqiptar për të garantuar drejtpeshimin e parimit të një seance publike që parashikohet në kodet tona të procedurës dhe sigurisë së procesit që duhet drejtpeshuar dhe këtë e bën vetëm gjyqtari”, tha Gogu.
Ai tha se tre janë prioritetet për sistemin e drejtësisë lidhur me procesin e integrimit: forcimi i të drejtave të njeriut dhe garancive proceduriale, rritja e aksesit në drejtësi dhe rritja e eficiencës së sistemit të drejtësisë.
Sa i përket stokut të dosjeve, një tregues negativ për sistemin e drejtësisë, Gogu tha se ka një rënie “të papërfillshme” me 2%, por e sheh si “model suksesi”.
“Duhet të shikojmë versionin përfundimtar dhe mbi të të shikojmë nëse është Kodi Penal që i përgjigjet realitetit tonë shtetëror, juridik e me radhë”, tha Gogu.
Pas raportit të Avokatit të Popullit që kërkonte mbylljen e 5 burgjeve për mosplotësim të kushteve, ministri tha se burgu i Shënkollit në Lezhë do të rehabilitohet.
“Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete që institucioni në Shënkoll të plotësojë standardet”, tha Gogu.
Janë rreth 12 mijë ata që presin të përfitojnë nga miratimi i amnistisë, disa qindra të burgosur që presin lirim, rreth 1000 që presin ulje dënimi, mijëra që presin të lirohen nga shërbimi i provës apo edhe të tjerë që u shuhet ndjekja penale.
