Në zemër të Nju Jorkut është hapur një ekspozitë e pazakontë që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe opinionit publik.
Ekspozita përmban rreth 3.5 milionë faqe dokumentesh të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të lidhura me hetimet ndaj financierit Jeffrey Epstein, i cili u akuzua për trafikim seksual të të miturve dhe vdiq në paraburgim në vitin 2019.
Të lidhura
None found
Projekti është realizuar nga një organizatë amerikane për transparencë, e cila thotë se qëllimi i ekspozitës është të afrojë publikun me dokumentet dhe të nxisë debat mbi mënyrën e trajtimit të çështjes Epstein nga autoritetet.
Megjithatë, qasja e publikut në dokumente është e kufizuar. Për shkak të gabimeve në redaktimin e disa materialeve, ku përfshihen edhe të dhëna sensitive të viktimave, nuk lejohet akses i lirë për të gjithë vizitorët.
Ekspozita lejon hyrje vetëm për grupe të caktuara si gazetarët dhe avokatët, të cilët mund të konsultojnë materialet nën kushte të kontrolluara.
Një pjesë e ekspozitës i kushtohet edhe marrëdhënies së gjatë mes Jeffrey Epstein dhe presidentit amerikan Donald Trump, një lidhje që ka qenë shpesh objekt debatesh publike dhe politike në SHBA.
Megjithatë, emri i Trump është shfaqur disa herë në dokumentet e publikuara, duke nxitur diskutime dhe akuza politike, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.
Organizatorët e ekspozitës thonë se projekti nuk ka qëllim politik, por synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi transparencën institucionale dhe mënyrën si trajtohen dosjet e ndjeshme në SHBA.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 21 maj, ndërsa pritet të vazhdojë debati në media dhe politikë mbi përmbajtjen e dosjeve Epstein dhe mënyrën e publikimit të tyre.
