Ish-drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj është shfaqur për herë të parë në media qëkur SPAK mori në dorë dosjen e grupit të strukturuar kriminal brenda AKSHI-t dhe njoftoi për të masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Me zërin që i dridhej dhe gati e përlotur, ish-drejtuesja e lartë e shtetit është shprehur se ajo do të thotë publikisht të vërtetën, të vërtetën e saj, sepse deri tani është dëgjuar vetëm akuza.
Të lidhura
None found
Mirlinda Karçanaj ka zgjedhur të flasë në “Top Story-n” e Grida Dumës, duke thënë se gjithë këto muaj nuk ka dashur të heshtte, por e ka pasur të pamundur. Ajo theksoi se pasi Gjykata e Lartë rrëzoi arrestin shtëpiak, ajo ka “rilindur” sërish.
“Unë nuk kam heshtur, por e kam pasur të pamundur të flasë. Jam gjendur përballë një bote që nuk isha përgatitur. Jam gjendur brenda 4 mureve në një mjedis fajësie të paracaktuar. Jam qëlluar me gurë nga të gjitha drejtimet. Unë duhet të mbroja fëmijët, por nuk kisha mundësi të mbroja veten.
Ditën kur Gjykata e Lartë ndryshoi vendimin, kam marrë frymë, kam qenë në ankth, në stres, mora frymë për herë të parë si një njeri që ka të drejtën legjitime edhe të mendojë, jo të përjetojë atë që përjetova unë.
Çdo proces duhet të hetohet, çdo përgjegjësi duhet të provohet, por jo të poshtërohet. Si mund të jem unë e pafajshme, kur historia ime është treguar nga të gjithë ata që nuk e dinë fare si është kjo histori. Unë nuk jam pyetur për ato të zeza që më janë veshur publikisht”, ka thënë ndër të tjera Mirlinda Karçanaj.
