Atalanta Zeqiraj, është caktuar gjyqtare e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për dosjen e ish-zëvendës kryeministres dhe ish- ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe 27 personave të tjerë.
Zeqiraj u caktua gjyqtarja paraprake përmes një shorti që u hodh në GJKKO, vetëm dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e dërgoi çështjen për gjykim.
Të lidhura
None found
Ish zv kryeministrja dhe ish-ministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë në dy raste dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, ajo ka orientuar dhe ndikuar në procedurat e prokurimit për të paracaktuar dhe favorizuar kompanitë fituese.
Sipas SPAK, përmes shkeljeve në procedurën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 7.48 miliardë lekësh, ose rreth 78 milionë eurosh, nga përllogaritja e fondit limit dhe miratimi i preventivit të rishikuar me çmime dhe volume të fryra.
Krahas Ballukut, të pandehurit e tjerë janë: Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi, Dhurata Lazaj, Joana Bushi, Igli Tare, Pandeli Carapuli, Arbër Abazi, shoqëria “Alko Impex General Construction” dhe shoqëria “Eurocol” sh.p.k.
TENDERAT
Për tenderin e Tunelit të Llogarasë, SPAK deklaron se është favorizuar bashkimi i kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”. Për këtë procedurë, ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë, Viola Haxhiademi, ish-drejtuesit e ARRSH-së Ergys Verdho dhe Evis Berberi, si dhe zyrtarë të tjerë akuzohen për shkelje të detyrimeve ligjore në përcaktimin e kritereve dhe përllogaritjen e fondit limit. Sipas ekspertimit teknik, përllogaritja e fondit limit ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë lekësh, ndërsa miratimi i preventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës një dëm tjetër prej rreth 5.48 miliardë lekësh. Dëmi për këto dy veprime arrin në rreth 7.48 miliardë lekë ose 80 milionë euro.
Në tenderin për punimet në Sheshin Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, me fond limit 2.38 miliardë lekë, është favorizuar kompania “Salillari”. Në lotin 2 të segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, me fond limit 2.49 miliardë lekë, është favorizuar bashkimi “4A-M & ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”, ndërsa në projektin e urave mbi lumin e Tiranës, me fond limit 2.56 miliardë lekë, kompania “Albstar”.
Në lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit 2.1 miliardë lekë, është favorizuar bashkimi “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU” dhe “Nova Construction 2012”; në lotin 5, me fond limit 1.94 miliardë lekë, bashkimi “G.P.G Company” dhe “Senka”; në lotin 6, me fond limit 1.82 miliardë lekë, “Gjoka Konstruksion”; ndërsa në lotin 7, me fond limit 2.35 miliardë lekë, bashkimi “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.
Për këto procedura, SPAK thekson se janë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave, janë vendosur kritere të paargumentuara dhe është kufizuar konkurrenca, ndërsa në disa raste fituesit janë shpallur në kundërshtim me kriteret e tenderit.
Në tenderin për rrugën Porto Romano, Loti 3, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, dyshohet se është favorizuar kompania “Geci”. Ndërsa në procedurën për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit rreth 88.65 milionë lekë, është favorizuar shoqëria “Eurocol”, së cilës sipas SPAK, i është siguruar edhe parapagim prej 50% të vlerës së kontratës.
VILAT E SEKUESTRUARA
Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me dy vila në bregdet, të cilat SPAK thekson se janë përfituar nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanive në tendera dhe janë fshehur përmes kontratave fiktive në emër të ish futbollistit Igli Tare.
Vila e parë në Palasë, me vlerë aktuale rreth 1.11 milionë euro, dyshohet se është përfituar përmes një investimi fillestar prej 250 mijë eurosh nga Igli Tare dhe punimeve të mëtejshme të financuara nga Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko-Impex General Construction”. Preventivi i punimeve të tjera varionte nga 288.616 deri në 410.526 euro, ndërsa punimet e realizuara nga Abazi kapnin vlerën 13.875.415 lekë. Ky i fundit akuzohet gjithashtu për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh, pasi dyshohet se ka financuar përfundimin e vilës në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij në tenderin e Unazës së Tiranës, Loti 7.
Vila e dytë në Dhërmi, me vlerë aktuale tregu rreth 720 mijë euro, dyshohet se është përfituar në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në tenderin e Albcontrol. Përfitimi i parregullt, sipas SPAK, kap vlerën 145 mijë euro dhe është fshehur përmes një kontrate fiktive porosie në emër të Igli Tares.
Për fshehjen e kësaj pasurie dyshohet se janë përdorur edhe Pandeli Carapuli, administrator i “Eurocol”, dhe Joana Bushi, përmes dokumentacionit fiktiv të pronësisë dhe një kontrate qiraje.
SPAK bën me dije se vlera e përgjithshme e dy vilave të sekuestruara arrin në 1.83 milionë euro.








