Ernest Muçi po përjeton ditë të ethshme, në pritje për të mësuar nëse në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Trabzonsporit ku ka shkëlqyer me gola e asiste, apo nëse do të kthehet te Beshiktashi që e dha në huazim.
Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Trabzonspori ka afat brenda datës 10 maj për të ushtruar të drejtën e pagesës së këstit të parë të klauzolës prej 8,5 milionë eurosh. Por për momentin nga klubi nuk është dhënë asnjë sinjal i tillë, duke shqetësuar jo pak Muçin. Dhe lajmet e fundit nga mediat turke, mund të shtojnë këtë shqetësim.
Të lidhura
None found
Klubi i Trabzonspor ka nisur bisedimet zyrtarisht me Karlo Holse, sulmuesin danez të ekipit të Samsunspor.
Ky i fundit ka shkëlqyer në këtë sezon me 10 gola e 9 asiste, teksa raportohet se Trabzonspori ka kërkuar leje nga Samsunspor që të nisë negociatat me të për transferimin në verë. Të njëjtat burime theksojnë se plani i klubit është që ta transformojë atë në numrin 10 të skuadrës, gjë që është një sinjal i qartë se nuk do të ushtrohet e drejta e blerjes së kartonit të Muçit.
Në këto rrethana, futbollisti i Kombëtares shqiptare mund ta shohë veten përsëri në udhëkryq në këtë verë, në kërkim të një skuadre të re pasi qartësisht te Beshiktashi nuk e duan, por thjesht synojnë të përfitojnë sa më shumë ekonomikisht nga shitja e tij.
