Nis regjimi i kalimit pa kontrolle të automjeteve në pikat kufitare me Kosovën, në fuqi deri më 30 shtator

Që prej kësaj të premteje, 1 maj, Shqipëria dhe Kosova kanë rikthyer zyrtarisht regjimin e kalimit pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të dy vendeve.

Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2026, dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve rritet ndjeshëm.

Të lidhura

None found

Sipas marrëveshjes, automjetet me targa shqiptare dhe kosovare do të kalojnë në pikat kufitare pa ndalesa dhe pa procedurat standarde të kontrollit. Ndërkohë, mjetet me targa të huaja do të përballen vetëm me kontrolle të shpejta, për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata, veçanërisht në Morinë–Vërmicë.

Lehtësimi i kalimit rikthehet pas dy muajsh ndërprerje, pasi gjatë marsit dhe prillit u zbatuan kontrollet e plota. Edhe në atë periudhë, fundjavat dhe festat zyrtare vijuan me regjim të thjeshtuar për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në orët e para të ditës së premte kanë hyrë në Shqipëri rreth 20 mijë qytetarë, shumica nga Kosova.


Shtuar 1.05.2026 11:23