KQZ propozoi 7 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, shumica e partive bien dakord

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka takuar të enjten përfaqësuesit e partive politike në vend, për të biseduar për caktimin e një date për zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se “shumica u pajtuam” që zgjedhjet e reja të mbahen më 7 qershor.

Ata duhej të zgjidhnin mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit, për zgjedhjet e treta parlamentare brenda rreth një viti e gjysmë. Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.

Të lidhura

None found

“Po, sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme”, tha ai.

Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ, i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve. Jehona Lushaku i Lidhjes Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.

“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike. Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor. Pas takimit të sotëm, Haxhiu pritet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë./REL


Shtuar 30.04.2026 16:17