Një operacion i gjerë policor në Turqi ka vënë në pranga Ozgur Gökçe, vëllain e shefit të njohur Nusret Gökçe, i njohur ndryshe si “Salt Bae”. Ai dyshohet për përfshirje në ndërmjetësim prostitucioni të një të miture, si pjesë e një hetimi më të gjerë që po zhvillohet nga autoritetet turke.
Hetimi drejtohet nga Zyra e Prokurorit të Küçükçekmece, në bashkëpunim me njësitë e krimit të organizuar. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se një grup personash kanë organizuar dhe lehtësuar aktivitetin e paligjshëm përmes marrjes me qira të banesave dhe dhomave hoteli, duke përdorur njëkohësisht edhe aplikacione mobile për komunikim dhe koordinim.
Të lidhura
None found
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë hetimeve janë evidentuar edhe dyshime për pastrim parash. Grupi dyshohet se ka përdorur llogari bankare të personave të tretë për të qarkulluar të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e paligjshme, në këmbim të komisioneve. Sipas raportimeve, vetëm brenda një viti janë qarkulluar rreth 15 milionë lira turke, të cilat dyshohet se lidhen me këtë rrjet.
Operacioni policor është zhvilluar më 17 prill në disa qytete të vendit, përfshirë Stambolli, Ankaraja, Samsuni dhe Diyarbakiri, ku janë ushtruar kontrolle në 14 adresa të ndryshme të dyshuara si baza operimi.
Në total janë arrestuar 13 persona, nga të cilët 7 janë lënë në paraburgim, ndërsa 6 të tjerë janë liruar me masa sigurie. Mes personave që vijojnë të mbahen në paraburgim është edhe Ozgur Gökçe, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje vijojnë.
