U arrestua në Brazil me dokumente false, del fotoja e Ervin Matës, 39-vjeçari fshihej mes…

Prej më shumë se dy vitesh, Interpol Tirana, kishte siguruar informacione se Ervin Mata fshihej në Brazil, vend ku edhe u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Raportohet se 39-vjeçari jetonte mes Brazilit dhe Paraguait. Në momentin që u ndalu, Mata i dorëzoi policisë vendase dokumente të falsifikuara të Paraguait me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, mjet identifikimi që skadonte në 2030-ën.

Po ashtu, Mata posedonte dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, si një kartë identiteti dhe pasaportë bullgare, të skaduar që në vitin 2024.

Sipas burimeve, gjatë arrestimit në periferi të San Paolos, ai u kap me disa shtetas të tjerë, pjesë e narkotrafikut.

Mata rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që prej vitit 2023, për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në disa shtete.

Akuzat

Mata akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë. Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar Matës, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i arrestimit të Ervin Matës

Policia e Shtetit/Si rezultat i partneritetit të ngushtë me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”.

Akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë, arrestohet në Brazil, 39-vjeçari.

39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.

Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.

Si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në vitin 2023, gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.

Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri.

Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtoret e tij, për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike Kokainë, më datë 29.09.2020.

39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M., në Shqipëri.


Shtuar 28.04.2026 10:45