Nga përplasja me Vis Martinajn, te trafiku i dr*gës dhe historia e dashurisë me Elvana Gjatën/ Kush është Ervin Mata, i arrestuar në Brazil!

Ervin Mata i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestuar në Brazil. 39-vjeçari akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe trafikim kokaine nga Amerika Latine në Europë. Ai fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar Matës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Hetimet tregojnë se ai koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020. Ervin Mata dyshohet se fitoi 81 milionë lekë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve.

Por kush është Ervin Mata

Ervin Mata njihet si pronari i një prej hoteleve që ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Tiranë, hotel i cili në fakt rezulton i regjistruar në emër të babait të tij. Ky i fundit ka në pronësi edhe një kompani që merret me konstruksione metalike.

Historia me Elvana Gjatën

Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata bëri të ditur për publikun se ishte fejuar me një biznesmen nga Tirana në vitin 2017. Gjithçka ndodhi në një ceremoni intime, ku dyshja zyrtarizuan lidhjen e tyre, atëkohë 2 vjeçare, pasi njiheshin që në vitin 2015. Por këngëtarja nuk e zbuloi kurrë identitetin e tij, deri në mbrëmjen e 4 tetorit, kur ndodhi edhe vrasja në zonën e ish-Bllokut.

Mata përflitej se ishte një biznesmen i fuqishëm që mbulonte të gjitha shpenzimet e këngëtares. Në kohën e fejesës, Gjata u largua drej Amerikës ku realizoi edhe disa projekte muzikore dhe nuk nguronte të reklamonte në rrjetet sociale jetën luksoze që bënte, duke nisur që nga helikopteri privat, makinat e fundit dhe udhëtime të shumta.

Përflitet se edhe biznesin e fustaneve të nusërisë, Elvana e ngriti me ndihmën e Matës, të dashurit të saj, por më vonë e shiti. Para se të shpallte fejesën me Ervinin, Elvana kishte patur një kapitull shumë të gjatë, me prodhime muzikore dhe një lidhje dashurie me Flori mumajesin, të cilën nuk e pranoi asnjëri prej tyre.

Por pas përfudnimit të kësaj periudhe këngëtarja nisi të ishte më e pavarur, duke realizuar projekte e vetme. Gjithsesi zërat që qarkullonin shpreheshin se gjithçka në karrierën e Gjatës investohej nga i dashuri i saj biznesmen.

Pas vrasjes në ish-bllok, Elvana Gjata ‘u zhduk’ nga rrjetet sociale për një periudhë prej 4-muajsh. Ajo nuk postoi asgjë, pasi më datë 5 tetor profilet e saj në rrjetet sociale u ‘bombarduan’ me komente denigruese që e akuzonin se ishte lidhur me një trafikant droge. Sipas ndjekësve të saj në rrjetet sociale, Elvana tashmë kishte zbuluar se nga i vinin të ardhurat për jetën luksoze që bënte. Kjo gjë bëri që këngëtarja shqiptare të humbiste mijëra ndjekës në Instagram.
Përplasja me Vis Martinajn

Ervin Mata ka qenë edhe më herët i njohur për drejtësinë shqiptare për përplasjen e famshme në një lokal në zonën e ish-bllokut me bosin e”lojërave të Fatit” Ervis Martinaj, ku ky i fundit në atë kohë mbeti i plagosur. Mbrëmjen e 4 tetorit të vitit 2018-të Ervin Mata pati një përplasje me Ervis Martinajn ku u qëllua me armë, ndërsa humbi jetën Fabjon Gaxhaj, të plagosur mbetën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.

Menjëherë pas ngjarjes në atë kohë u shpallën në kërkim Ervin Mata si dhe komandoja Mervjol Bilo, i dyshuar si personi që shkrepi armën. Ndërkohë sa i përket arrestimit të Matës në brazil Policia e Shtetit shqiptar ka dhënë detaje, si dhe po vijon punën për ekstradimin e tij në vendin tonë.


Shtuar 27.04.2026 21:43