Policia e Lezhës, zbardh atentatin e djeshëm ku mbetën të vrarë nga breshëritë e armëve Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci. Ishte kryepolici Arben Nasufi, që doli në një konferencë për mediat mesditën e sotme dhe zbardhi detaje, dinamikën dhe motivet e atentatit vdekjeprurës nga hetimet e deritanishme bashkë me Prokurorinë.
Ai tha se janë identifikuar 3 atentatorët e krimit, mjeti me të cilin u bë atentati dhe rrethanat, përfshi edhe motivin e dyshuar të hakmarrjes.
“Hetime intensive në vendngjarje dhe me metoda proaktive në funksion të zbardhjes. U identifikua një prej automjeteve të përdorura nga autorët, një AUDI A4. U bë edhe identifikimi i autorëve: A.M., 22 vjeç, F.M., 26 vjeç, R.M., 23 vjeç, të tre banues Lezhë”, tha Nasufi.
Ai shpjegoi edhe skemën e atentatorëve, ku me një mjet të dytë i zunë rrugën Mujecit dhe më pas e patën të lehtë ta qëllonin me breshëri automatiku.
“Një mjet “Volkswagen i preu rrugën, kurse personat në Audi qëlluan me breshëri armësh. Automjeti ‘Audi’ i ka mbajtur nën vëzhgim. Dyshohet se vrasja ndodhi për arsye hakmarrjeje. Hetime intensive bashkë me Prokurorinë për dokumentimin e ngjarjes. Janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente, por nuk u gjetën, kërkimet vazhdojnë. RENEA, forca e sigurisë dhe operacionale janë në terren për kapjen e autorëve. Vazhdon edhe puna për gjetjen e armëve dhe mjeteve të përdorura në ngjarje”, tha kryepolici.

