Prodhonte diploma e licenca të falsifikuara, Abas Tafa kandidat për deputet nën siglën e partisë së Bashës

Personi në foto është 51-vjeçari Abas Tafa i cili u vu në pranga nga policia e Tiranës pas zbulimit të një laboratori për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale në zonë e Zall-Bastarit.

Ky aktivitet i paligjshëm ushtrohej prej kohësh nga Abas Tafa i cili ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025, në siglën e Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha.

Të lidhura

None found

Vetë Tafa mësohet se ushtron prej vitesh profesionin e mësuesit të Gjuhë-Letërsisë, ndërsa para grupit hetimor pas arrestimit, nuk ka dhënë deklarime.

Sipas Policisë, ambienti ishte i pajisur posaçërisht për prodhimin e këtyre dokumenteve të paligjshme, si diploma, lista notash, licenca profesionale e të tjera.

“Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”- njoftoi policia.


Shtuar 10.04.2026 20:48