Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale ka bërë një deklaratë të fortë. Lideri i opozitës deklaroi se Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar si argat i Presidentit serb Aleksandër Vuçiçit, ka urdhëruar ambasadat që të mos kenë asnjë lloj takimi me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, pasi kjo e fundit denoncoi publikisht letrën e përbashkët Rama-Vuçiç.
Sipas Kryedemokratit, Rama ka urdhëruar që të pamundësojë çdo vizitë zyrtare në Shqipëri, për Gërvallën. Sa i përket letrës, Berisha theksoi se Rama dhe Vuçiç, duke i quajtur si padroni dhe argati e bënë këtë në kundërshtim me interesat flagrante të kombeve të tyre dhe vetëm e vetëm për pushtetin e tyre.
“Ata nuk pajtohen kurrë, as me farsën zgjedhore, as me bllokimin e luftës kundër korrupsionit dhe bllokimin e drejtësisë. Por duhet të kemi një gjë parasysh, lëvizja e fundit e Edi Ramës është lëvizja më antishqiptare që është bërë ndonjëherë, lëvizje me të cilën Edi Rama kërkoj nga BE-ja që ti japin Shqipërisë së bashku me Serbinë vetëm marrëveshjen tregtare dhe lëvizjen e lirë, kurse paketën politike dhe përfitimet dhe të drejtën e votës të mos e japin.
Pse e bëri Edi Rama këtë akt? Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, padroni dhe argati e bënë këtë në kundërshtim me interesat flagrante të kombeve të tyre dhe vetëm e vetëm për pushtetin e tyre. Por ana tjetër, Edi Rama me këtë akt antikombëtar e rreshtoi Shqipërinë krahas Beogradit, krahas aleatit kryesor të Moskës në rajon.
Barazoi Shqipërinë me Beogradin i cili nuk respekton sanksionet e BE dhe NATO-s ndaj Rusisë. I cili nuk pranon kurrë të njohë Kosovën.
Edi Rama e gjeti tani për ortak një akt i shëmtuar antikombëtar, por që ka treguar para shqiptarëve karakterin e vet dhe dua të informoj shqiptarët se, ky argat i Vuçiçit ka urdhëruar ambasadat që të mos kenë asnjë lloj takimi me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla sepse ajo denoncoi publikisht me guxim letrën e përbashkët Rama-Vuçiç.
Arrin deri në këtë verbëri që të kërkojë, e cila me shumë mundësi Donika është edhe shtetase shqiptare se, ajo ka ardhur këtu fëmijë dhe është rritur në Shqipëri, shkon në verbërira të pafundme. Megjithatë e them këtu prap se, nuk ka asgjë më jetike se sa të mbrojmë vokacionin tonë perëndimor, të mbrojmë procesin e integrimit tonë në BE. Në vend të pasaportës Europiane që premtoi në çdo miting dhe takim, tani ofron pasaportën e Beogradit. Ne këtë nuk do të ja pranojmë kurrë,” tha Berisha.
Gërvalla kritikoi Ramën dhe Vuçiç lidhur me editorialin e përbashkët që në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Gjatë kritikave të saj, ajo tha se krijohet përshtypja se sa herë që Vuçiç gjendet nën presion nga Bashkimi Evropian, Rama del në mbështetje të tij.
“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundi i publikuar së bashku me Vuçiqin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministri Rama. Sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Evropa e mbështetë me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerrë nga ajo situatë. Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana nëpër Beograd qon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, tha Gërvalla në reagimin e saj.
