Joe Kent, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane për Luftën kundër Terrorizmit, dha dorëheqjen këtë javë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi strategjinë ndaj Iranit.
Ai bëri deklarata tronditëse duke thënë se këshilltarët e presidentit amerikan, Donald Trump nuk mund të paraqisnin dyshimet e tyre mbi sulmet ajrore, dhe se Izraeli praktikisht e detyroi SHBA-në të ndërmerrte këtë hap.
Duke qenë i ftuar në emisionin e komentatorit konservativ të njohur Tucker Carlson, Kent ofroi një vështrim nga brenda mbi vendimin e Trumpit për të nisur sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, një hap që tani rrezikon të ndajë thellë bazën e tij politike.
Në bisedën me Carlson, Kent iu referua veçanërisht vrasjes së fundit të Ali Larijanit, duke e përshkruar si një gabim katastrofik dhe një mundësi të humbur, shkruan cnn.
“Ne e kemi vrarë Larijanin, negociatorin që ishte shumë i gatshëm të na siguronte një marrëveshje”, tha Kent. Si veteran i njësive speciale që ka luftuar për vite me ndërmjetësit iranianë në Lindjen e Mesme dhe “i ka vënë ata në pranga plastike”, ai paralajmëroi se këto lëvizje ushtarake në fakt i shërbejnë krahut radikal brenda Iranit.
“Këta janë njerëz shumë seriozë. Nëse i jepni Gardës Revolucionare Islame (IRGC) një arsye për të marrë më shumë kontroll, ata do të marrin mbështetjen e popullit. Ju do të vrisni një ajatollah, dhe ata do të thonë: ‘Hej, ai tipi i kaluar ishte shumë i moderuar, shikoni çfarë solli kjo. Na jepni më shumë kontroll.’ Populli iranian do të reagojë në mënyrë që të mos bombardohen nga amerikanët dhe izraelitët, dhe kjo i shtyn direkt në duart e IRGC-së”, shpjegoi Kent.
Kent, i cili punën e tij e mbikëqyri drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Tulsi Gabbard, pretendon se nuk kishte asnjë informacion inteligjent që të tregonte se Irani paraqet një kërcënim të menjëhershëm për SHBA-të, apo se po zhvillon aktivisht armë bërthamore.
“Izraelitët janë ata që nisën këtë veprim”, ishte i drejtpërdrejtë Kent. Sipas fjalëve të tij, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë personalisht kanë lobuar tek Trumpi, shpesh duke i dhënë informacione që kanalet zyrtare amerikane të inteligjencës nuk mund të konfirmonin.
Deklarata e tij se “lobi izraelit” qëndronte pas vendimit të Trumpit për të nisur luftën ka shkaktuar tashmë reagime të ashpra dhe kritika nga grupet hebrenje, të cilat i kanë cilësuar deklaratat e tij si antisemitizëm. Vetë Carlson, teksa Kent zgjodhi të shfaqej për herë të parë publikisht pas dorëheqjes, më parë ishte përballur me akuza të ngjashme.
Gjatë emisionit, Carlson theksoi një diferencë tronditëse midis interesave amerikane dhe izraelite në këtë konflikt. Ndërsa qëllimi i deklaruar i Trumpit ishte parandalimi që Irani të arrinte armë bërthamore – të cilat, sipas raporteve, nuk po përpiqeshin t’i zhvillonin në këtë moment – Carlson thotë se Izraeli synon diçka shumë më drastike.
“Qëllimi i Izraelit është thjesht ndryshimi i regjimit, kaosi i përhershëm dhe zhdukja e Iranit nga harta si një shtet kombëtar koherent”, tha Carlson. Ai kujtoi se Larijani u vra pikërisht nga izraelitët, duke shtuar se forcat izraelite “shpërthyen impiantet e gazit natyror në Katar” që furnizojnë pjesën tjetër të botës, një veprim që ai e konsideroi si një hap drejt katastrofës globale.
Presidenti Trump, i cili kohët e fundit ka dhënë shpjegime të ndryshme për arsyet e sulmit, i hodhi poshtë kritikat e Kentit dhe mohoi që Izraeli e kishte detyruar SHBA-në për këtë veprim. Trump deklaroi të martën se gjithmonë e ka konsideruar Kentin “të dobët në çështjet e sigurisë.”
“Ata nuk janë njerëz të mençur, as të zgjuar. Irani ishte një kërcënim i madh. Nëse dikush në administratën time nuk besonte se ata ishin kërcënim, ne nuk duam njerëz të tillë”, u shpreh Trump.
Megjithatë, dosja ushtarake dhe e inteligjencës e Kentit është e vështirë për t’u injoruar. Si ish-anëtar i elitës së Beretave të Gjelbra, ai ka mbijetuar 11 misione luftarake para se të bashkohej me CIA-n. Ai ka përjetuar edhe një tragjedi personale: gruaja e tij, e cila ishte kriptologe në marinë, vdiq në vitin 2019 nga një sulm vetëvrasës në Siri, duke e lënë vetëm me dy djem të vegjël.
Vendimin për dorëheqje Kent e shpjegoi me fjalë të thjeshta “Kur u bë e qartë se shqetësimet e mia do të injoroheshin, kuptova se ky rrugë që po ndiqnim nuk funksionon. Me ndërgjegje të pastër nuk mund të isha pjesë e kësaj”.
