Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr 277/1 të vitit 2022, në ngarkim të 11 të pandehurve:
Arben Ahmetaj,
Albina Mançka,
Erjola Hoxha,
Mirel Mërtiri,
Klodian Zoto,
Andi Boni,
Elda Dinaj,
Gerian Kuka,
Helidon Begaj,
Sonila Goxhaj
Sokol Meqemeja.
I pandehuri Arben Ahmetaj akuzohet për kryerjen e veprave penale:
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, 9 (nëntë) herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e këtij Kodi (më shumë se një herë). Nga hetime është vërtetuar se:
I pandehuri ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes kryerjes së pagesave nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k. nga faturat e lëshuara për shërbime apo mallra, në lidhje me investimet e kryera nga të pandehurit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, për shndërrimin e një apartamenti të tyre në AirBnb, në shumën prej 2 007 373 (dy milionë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekë në vitet 2019 – 2020.
Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes të pandehurve Andi Boni dhe Helidon Begaj, shumën prej 170 480 (njëqind e shtatëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë) euro, nëpërmjet realizimit të një shitjeje fiktive.
Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes shtetasit Besmir Prifti dhe të pandehurve Sonila Goxha dhe Sokol Meqemeja, shumën prej 270 000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) euro, nga një shitje fiktive.
Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes të pandehurve Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha, vilën e ndodhur në Hamallaj, e vlerësuar në shumën 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) euro.
Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri shuma monetare nga shpenzimet që ata kanë kryer për udhëtimet e të pandehurit, Arben Ahmetaj dhe familjarëve apo miqve të tij, në një vlerë totale prej 31 442 (tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzetë e dy) lekë (udhetime te kryera pergjate viteve 2013, 2014, 2015, 2016, 2017).
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” gjithsej 15 (pesëmbëdhjetë) herë, vetëm ose në bashkëpunim, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, 257/a paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e Kodit Penal (më shumë se një herë), pasi nga hetimet është vërtetuar se:
Ka fshehur burimin dhe ka bërë deklarimin të rremë, në lidhje me sasinë e parave të investuara prej tij dhe bashkëshortes së tij në atë kohë, shtetases Albina Mançka, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria Lani sh.p.k.. Ky deklarim i rremë është kryer në deklaratën e dorëzuar më datë 10.2022 në bashkëpunim me të pandehurën, Albina Mançka dhe në deklaratën e dorëzuar më datë 23.03.2023.
Ka fshehur shumat e shpenzuara për investimin e kryer në apartamentin e shndërruar në AirBnb si dhe burimin e tyre, në vlerë totale 7 173 600 lekë të kryera përgjatë viteve 2019 dhe 2020, ku për vlerën 2 007 373 (dymilionë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekë, është vërtetuar se derivojnë nga shtesit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ky deklarim i rremë është kryer në bashkëpunim me të pandehurën Albina Mançka.
Ka kryer deklarim të rremë, në lidhje me pasqyrimin në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI sikur ka shitur pasuri për shtetasit Besmir Prifti dhe Sonila Goxha dhe transaksionet e kryera me ta lidhur me këto shit-blerje. Gjithashtu edhe sipërfaqen e ndërtimit mbetur në pronësi në pallatin ku ndodhen këto pasuri pasi u vërtetua se shitjet në fjalë janë fiktive dhe janë kryer me qëllim mbulimin/fshehjen e burimit të shumës prej 270 000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) euro, dhënë si mitë nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Këtë deklarim të rremë e ka kryer në deklaratat e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI më datë 29.3.2019 dhe 10.2022 në bashkëpunim me të pandehurën Albina Mançka dhe më datë 23.3.2023.
Ka kryer deklarim të rremë, duke u fshehur burimi i vërtetë i një shume prej 30 000 (tridhjetë mijë) euro, gjendur gjatë kontrollit të vilës në Hamallaj, deklaruar si dhurata. Ky deklarim i rremë, i bërë në deklaratën e dorëzuar më datë 3.2023, është kryer në bashkëpunim me të pandehurën Erjola Hoxha.
Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur vilën në Hamallaj, e vlerësuar në shumën 230 000 euro, e porositur për të prej vitit 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, e përfituar në vijim duke shfrytëzuar të pandehurit Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha. Gjithashtu, ka kryer deklarim të rremë dhe ka fshehur shpenzimet e kryera për investim në këtë vilë, në një shumë prej 145 100 (njëqind e dyzetë e pesë mijë e njëqind) euro dhe 1 550 880 (një milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë) lekë. Ky deklarim i rremë është bërë në deklaratat e pasurisë të cilat janë dorëzuar më datë 29.3.2019, 29.5.2020, 31.3.2021, 26.10.2022 dhe është kryer në bashkëpunim me të pandehurën Erjola Hoxha, në deklaratat e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI më datë 23.3.2023 dhe 31.3.2024.
Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur burimin, kohën e fitimit dhe vetë pronësinë e vilës në Green Coast, Palasë, e cila paraqitej sikur kishte prenotuese mikeshën e të pandehurës, Albina Mançka, të pandehurën Elda Dinaj, e identifikuar si vila me nr. 73, e vlerësuar bashkë me parkimin në shumën 387 731 (treqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) euro si dhe të shpenzimeve për investime në këtë vilë, të kryera përgjatë viteve 2020 dhe 2021, në shumën 115 897 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë) euro dhe 1 169 900 (një milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind) lekë. Kjo fshehje është kryer në bashkëpunim me të pandehurën Albina Mançka, në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI, më datë 3.2019, datë 29.5.2020, datë 31.3.2021, datë 26.10.2022 dhe është kryer vetëm në deklaratën e dorëzuar më datë 23.03.2023.
Ka kryer deklarim të rremë, duke u fshehur burimi i vërtetë i shumës së deklaruar nga bashkëjetuesja e tij, e pandehura Erjola Hoxha, si e ardhur nga aktiviteti tregtar i shoqërisë 3S Consulting sh.p.k, me ortak të vetëm shtetasen Erjola Hoxha. Ky deklarimi rremë është kryer në bashkëpunim me të pandehurën, Erjola Hoxha, në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI në datë 23.3.2023 dhe 31.3.2024.
Ka kryer deklarim të rremë, në formën e fshehjes në deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI më datë 29.3.2019, në lidhje me burimin dhe shumën e shpenzuar, prej 93 500 (nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind) euro, në kazino Dragonara, Maltë.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dyte i Kodit Penal, ne format dhe episodet e meposhtme:
Në lidhje me shumën e investimit, në ambjentin AirBnb, për vitin 2019, prej minimalisht 420 356 (katërqind e njëzetë mijë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë, në bashkepunim me shtetasit Albina Mançka, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Për shumën e investimit, në ambjentin AirBnb, për vitin 2020, prej minimalisht 1 587 017 (një milion e pesëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatëmbëdhjetë) lekë, në bashkepunim me shtetasit Albina Mançka, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Për shumën prej 170 480 euro të përfituar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pasqyruar si shitje e bërë shtetasit Andi Boni, në bashkëpunim me shtetasit Albina Mançka, Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri.
Për shumën në total prej 270 000 euro marrë nga shtetasit, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, ne bashkepunim me shtetasit Albina Mançka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Sokol Meqemeja
Në lidhje me veprimet e kryera për fshehjen e pronësisë së vilës në Hamallaj dhe shpenzimet e kryera për të, në bashkëpunim me shtetasit, Erjola Hoxha, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Gerian Kuka.
Për veprimet e kryera për fshehjen e pronësisë së vilës me nr.73 në Green Coast, Palasë dhe investimit për të, në bashkëpunim me shtetaset Albina Mançka dhe Elda Dinaj.
Pasur parasysh sjelljen e kryer prej secilit prej të pandehurëve të tjerë, në realizimin e veprave penale të sipërcituara, në ngarkim të të pandehurit Arben Ahmetaj, ata janë akuzuar si vijon:
E pandehura Albina Mançka është akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” në bashkëpunim me shtetasin Arben Ahmetaj, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal, 6 (gjashtë) herë, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e Kodit Penal, (më shumë se një herë) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal, për 5 (pesë) episode
E pandehura Erjola Hoxha është akuzuar për kryerjen e veprave penale “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal, 4 (katër) herë, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e Kodit Penal (më shumë se një herë) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, gërma ‘b” dhe “c”.
Të pandehurit Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) dhe Klodian Zoto janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, për 5 (pesë) episode.
Të pandehurit: Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dyte i Kodit Penal.
