Lënda plasëse në makinën e Oltion Klosit, “arrest me burg” për Sabah Nuzin dhe 4 të tjerë

Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën “arrest në burg” për Sabah Nuzi, i akuzuar si porositës i vendosjes së tritolit ndaj automjetit të Oltion Klosi.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se e njëjta masë sigurie është dhënë edhe për Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Eklips Leti dhe Kristjan Ahmerama.

Ndërsa për Glentjan Kojtari dhe Dorjan Hamolli është vendosur masa “arrest në shtëpi”, dhe për Geris Molla “detyrim paraqitje”.

Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 10 mars në Tiranë, ku një sasi eksplozivi u vendos në automjetin e Klosit dhe shpërtheu me telekomandë. Dyshohet se motivi lidhet me një konflikt për pazare droge.

Prokuroria pretendon se Nuzi, edhe pse në burg, ka organizuar ngjarjen si hakmarrje për një borxh të pakthyer, ndërsa Jurgen Gjonaj dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse.

Personat e tjerë akuzohen se kanë ndihmuar me informacione, sigurimin e eksplozivit dhe organizimin e largimit pas atentatit.

Nga ana e tij, Nuzi ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe duke kërkuar kujdes në publikimin e informacionit.


Shtuar 17.03.2026 15:25