Shpërthim me lëndë plasëse në Lezhë, shkrumbohet makina e efektivit të policisë

Në orët e para të mëngjesit, një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në qytetin e Lezhës. Sipas informacioneve policore, një sasi tritoli i është vendosur një automjeti në pronësi të një efektivi policie.

Burime bëjnë me dije se mjeti i përket efektivit me inicialet G.Gj., i cili shërben në strukturat e Policisë në Lezhë.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërsa automjeti është dëmtuar rëndë.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët e vendosjes së lëndës plasëse.

Autoritetet po punojnë për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar nëse shpërthimi lidhet me detyrën e efektivit të policisë.