Kur kanë mbetur më pak se 72 orë, sipas afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, asnjë kandidaturë nuk është zyrtarizuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, paraditen e së martës, por tha se nuk është arritur zgjidhja.
“Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do të ju njoftojmë nëse kjo bëhet së shpejti“, tha Kurti.
Pas takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Abdixhiku mblodhi grupin parlamentar e për dy orë, diskutuan për qëndrimet e LDK-së rreth çështjes së presidentit. Zëdhënësi i partisë, Besjan Mustafa tha se zgjedhjet janë të evitueshme e se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në dy drejtime.
“Një konsensus i gjerë politik, një kandidat që vije si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike dhe e dyta është një marrëveshje politike klasike në mes të dy partive, në këtë rast pushtetit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur ende marrëveshje politike, sipas Mustafës, i cili shtoi se as nuk është disktuar për ndonjë kandidat specifik. Por, në rast të një marrëveshjeje, LDK-ja kërkon të ketë zë në propozimin e kandidatit të mundshëm për president.
“Do të pajtoheshin mbi parimet, kriteret dhe në fund për emrin e përveçëm. Pra, duhet të jetë një emër që pajtohen dy partitë politike së bashku, jo njëra të imponojë emrin tjetrit”, deklaroi Mustafa.
Të martën, emri i nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës është rikthyer në diskutimet për president, gjë që nuk është konfirmuar nga partia në pushtet. Përpos Konjufcës, presidentja aktuale, Vjosa Osmani synon edhe një mandat tjetër, por deri tani nuk ka mbledhur 30 nënshkrimet e kërkuara nga Kushtetuta për të zyrtarizuar kandidaturën.
