Berisha flet për skenarët në Parlament ditën e votimit të imunitetit të Ballukut: Nuk përjashtohet as ngujimi dhe greva e urisë (VIDEO)

Ditën e sotme, në konferencën për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se nuk përjashtohet asnjë skenar opozitar ditën e seancës që do diskutohet heqja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, aktualisht e pandehur, e pezulluar dhe shkarkuar nga detyra pas hetimeve të SPAK-GJKKO.

Ai deklaroi se shumë deputetë kanë shprehur dëshirën për akte sublime, ngujim dhe grevë urie nëse nuk hiqet imuniteti i Ballukut, por vuri theksin tek verdikti i sovranit.

“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie. Dhe asgjë nuk përjashtohet. Por, por, gjithçka do të ndërmerret, ky hap, në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja kryesore në rendin e ditës, sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori”, tha ai.

Më tej, kreu i selisë blu akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrime, korrupsion dhe vjedhje dhe deri tek aleancat e fshehta me “argatin” dhe “padronin” e tij Vuçiç.

Ndërsa gjashtë muaj më parë premtonte anëtarësim në BE, tha ai, tani po kalon të anëtarësim pa të drejtë vetoje.

“Kujtojmë vetëm kaq, një njeri që 6 muaj rresht i premtoi shqiptarëve integrim më 2027 dhe 2030, tani është kapur me presh në dorë si hajdut. U thotë se nuk kemi nevojë për anëtarësim të plotë. Kryehajduti dhe padroni dhe argati i Vuçiç, Rama, në shkrimin e medias sugjerohet qartë nga këta dy që i sugjerojnë BE-së të akordojnë tregtinë e lirë dhe fondet në rritje. Këta nuk kërkojnë as votë, nuk pranojnë të plotësojnë kriteret e kartës së Kopenhagenit, këta nuk merren me mirësitë që duhet ë gëzojë komuniteti nga anëtarësimi në BE. Këta kanë hall vetëm oligarkët. Këta zotohen se nuk do zhvillojnë zgjedhjet, teksa Karta e Kopenhagenit ka kusht zgjedhjet e lira. Këta betohen se do kontrollojnë drejtësinë, kurse ato kritere kanë drejtësinë e pavarur”, vijoi Berisha.

Gjithashtu, lideri i opozitës nënvizoi se Rama i ka mbyllur përfundimisht dyert Shqipërisë drejt BE-së, por sipas tij, popullin shqiptar nuk e ndal asgjë në këtë mision dhe ëndërr.

“Pra, Edi Rama po mbyll përfundimisht dyert e BE-së për shqiptarët. Por e them me bindjen e thellë se kjo s’do bëhet kurrë realitet. Shqiptarët asgjë s’do i pengojë, të pandalshëm drejt integrimit të BE”, tha ai.


Shtuar 3.03.2026 14:07