Vrasja e Ardian Nikulajt/ Prokuroria e Lezhës kërkon burg të përjetshëm për Ruben Saraiva

Ditën e sotme, Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj.

Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën.

Sipas Prokurorisë, ai është autor i vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin.

Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku biznesmeni Ardian Nikulaj, u qëllua për vdekje.

Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e tij.

Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.


Shtuar 3.03.2026 10:26