Këtë të mërkurë, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar se mësuesja Mine Hasani, e cila ka ushtruar dhunë sistematike ndaj nxënësve në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, është pezulluar nga puna.
Bëhet fjalë për rastin e denoncuar të martën, 24 shkurt, nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, shoqëruar me pamje filmike.
“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit.
Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë”, thotë Kumbaro.
Gjithashtu, ministrja bën me dije se hetimi administrativ vazhdon me të gjithë zinxhirin komandues dhe me analizë të thelluar.
“Jo vetëm për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton titullin mësues, por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit, rolin e psikologëve dhe të drejtuesve të shkollës”, tha ajo.
Nga pamjet e siguruara me kamera të fshehtë, shihet se si mësuesja i godet fizikisht nxënësit, si edhe përdor gjuhë fyese, kërcënuese dhe degraduese ndaj tyre. Në një monitorim prej më shumë se një jave, rezulton, se shprehjet si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni”, ishin “buka e përditshme” e mësuese Mines.
“Sipas Urdhrit nr.31, datë 28.01.2020, lidhur me trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve për të vlerësuar çdo indikator të mundshëm të një situate risku për fëmijët.
Ky proces synon të garantojë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në institucionet arsimore”, njofton Ministria e Arsimit.

