SPAK solli prova dhe tha se Balluku rrezikon deri në 35 vite burg/ Bardhi flet për mbledhjen te Mandatet: Janë përdorur dy forma kërcënimi

Belinda Balluku, me provat e reja rrezikon deri në 35 vite burg, ose trefishin e veprave penale që parashikonte hetimi fillestar kur u vendos masa nga GJKKO me kërkesë të SPAK.

Kështu u shpreh sot nga selia e Kuvendit, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, duke treguar edhe detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve.

“Prokuroria tha se kur u kërkua ndaj Ballukut masa e masave ndaluese, ajo rrezikonte dënim në maksimum deri në 10 vite burg, sot që flasim u shprehën prokurorët nëse provohen të gjitha akuzat e ngritura ajo rrezikon në maksimum 35 vite burg. Kjo tregon se jemi në një situatë të rënduar sa i takon krimeve të kryera prej saj”, tha Bardhi.

Ai shpjegoi se mbledhja duhet të ishte bërë me dyer të hapura për mediat, ndërsa akuzoi mazhorancën se po i bëhet mburojë zv/kryeministres së pezulluar për abuzime me detyrën dhe tenderët.

“Nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Mandateve që seanca të ishte me dyer të mbyllura. Nuk kishte asnjë surprizë. Rama urdhëroi 5 anëtarët e PS në këshill të bëheshin mbrojtje politike për të korruptuarën Belinda Balluku. SPAK konfirmoi se situata penale ndaj Balluku është rënduar tepër krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj. Këto masa deri tani nuk mbrojnë dot hetimin e plotë ndaj Ballukut”, denoncoi deputeti demokrat.

Ai shpjegoi se prokurorët e SPAK dhanë dëshmi tronditëse gjatë mbledhjes dhe vunë në dispozicion prova të forta që çonin në hapjen e rrugës së heqjes së imunitetit dhe arrestimit të zv/kryeministres.

“Prokurorët në një dëshmi tronditëse i kanë vendosur në dispozicion këshillit të mandateve provat konkrete se si Balluku përmes dy formave, të fortëve që kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku dhe forma e dytë përmes zyrtarëve anëtarë të kabinetit të Balluku që kanë kërcënuar dëshmitarët se do hiqeshin nga puna familjarët atyre që dëshmonin ndaj Ballukut dhe më pas i kanë ofruar edhe para që të ndryshonin dëshmitë që kanë dhënë”, nënvizoi ligjvënësi opozitar.


Shtuar 23.02.2026 16:00