Myrto Uzuni shënon gol që në ndeshjen e parë të edicionit në MLS (VIDEO)

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Myrto Uzuni, e ka nisur me ritmin e duhur këtë sezon në MLS, duke qenë protagonist me gol që në ndeshjen e parë të skuadrës së Austin.

Ai ka lënë pas krahëve transferimin e dështuar gjatë janarit në kampionatin turk dhe tashmë duket se është fokusuar plotësisht te ekipi amerikan, me të cilin do të vijojë karrierën e tij.

Ashtu siç pritej, Uzuni ishte titullar në duelin e javës së parë të kampionatit, atë që Austin luante kundër Minesota Junajtid.

Uzuni ishte protagonist në disa aksione sulmuese për skuadrën e tij, ndërsa la shenjë në minutën e 76 të duelit, kur ia doli të devijonte para portës topin për golin e avantazhot të përkohshëm 2-1.

 

Për fatin e keq të Uzunit, ky gol kishte vlerën vetëm të një pike pasi Minesota barazoi në minutën e fundit. Megjithatë, ky ishte starti i duhur i sezonit për Uzunin, pasi synon të tregojë në vitin e tij të dytë në MLS se është përshtatur tashmë plotësisht me futbollin në këtë vend dhe do të bëjë përsëri bomberin, siç kishte treguar në vitet te Granada në Spanjë.


Shtuar 22.02.2026 09:25