Tragjedi në Kanada/ Vriten 10 persona, 25 të tjerë mbetën të plagosur

Pasditen e djeshme, një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin e Tumbler Ridge, në provincën British Columbia të Kanadasë, ku dhjetë persona humbën jetën dhe 25 të tjerë mbetën të plagosur, pas një sulmi me armë zjarri  Shtatë prej viktimave u vranë në ambientet e Shkollës së Mesme Tumbler Ridge, ndërsa i dyshuari për sulmin më pas i dha fund jetës.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur autoritetet lëshuan një alarm, për një person të armatosur brenda shkollës.

Gjatë kontrollit të ndërtesës, policia gjeti gjashtë persona të vrarë me armë zjarri. Një i shtatë, i cili ishte plagosur rëndë, ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Përveç viktimave në shkollë, policia zbuloi edhe dy trupa të tjerë në një banesë në Tumbler Ridge, e cila besohet të ketë lidhje me incidentin.

Autoritetet po hetojnë nëse ka vende të tjera të përfshira dhe po kontrollojnë shtëpi dhe prona të tjera, në komunitet për të përcaktuar shtrirjen e plotë të ngjarjes.

Sipas mediave kanadeze, i dyshuari për sulmin ishte një grua, por policia ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme mbi identitetin e saj apo motivet e mundshme të krimit.

Komuniteti i vogël, i vendosur rrëzë Maleve Shkëmbore, është tronditur nga ngjarja, ndërsa autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.


Shtuar 11.02.2026 07:44